Ballina Bota Nju Jorku kërkon vendosjen e maskave në vendet publike

Nju Jorku kërkon vendosjen e maskave në vendet publike

 

E përballur me rritjen e infeksioneve me COVID-19 gjatë sezonit të dimrit, guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul njoftoi të premten se maskat duhet të mbahen në të gjitha vendet publike të mbyllura, nëse bizneset apo institucionet nuk kërkojnë vaksinimin.

Guvernatorja Hochul tha se vendimi për të vendosur një detyrim për maskat bazohej në normën javore të rasteve me COVID-19 të shtetit, si dhe në rritjen e shtrimeve në spital.

Kërkesa e maskës vlen si për klientët ashtu edhe për personelin dhe do të jetë në fuqi nga 13 dhjetori deri më 15 janar, pas së cilës shteti do të rivlerësojë situatën.

“Si guvernatore, dy prioritetet e mia kryesore janë mbrojtja e shëndetit të njujorkezëve dhe mbrojtja e shëndetit të ekonomisë sonë,” tha zonja Hochul, në një njoftim për shtyp. “Masat e përkohshme që po marr sot do të ndihmojnë në arritjen e këtyre objektivave gjatë sezonit të festave”.

Disa shtete tashmë kanë detyrim mbajtjen e maskës, duke përfshirë Nju Meksikon, Nevadën dhe Hauajin.

Nju Jorku regjistroi më shumë se 68,000 teste pozitive për virusin në periudhën shtatëditore që përfundoi më 8 dhjetor. Kjo është rritja më e lartë javore që nga fillimi i shkurtit.

“Unë kam paralajmëruar për javë të tëra se mund të nevojiten hapa shtesë dhe tani jemi në atë pikë bazuar në tre parametra: Rritja e rasteve, kapaciteti në spitale dhe normat e pamjaftueshme të vaksinimit në zona të caktuara,” tha guvernatorja Hochul.