Ballina Rajoni Ambientalistët bllokojnë Beogradin

Ambientalistët bllokojnë Beogradin

 

Mijëra vetë kanë demonstruar në Serbi kundër ndotjes së mjedisit. Zemërimi i protestuesve drejtohet kundër dy ligjeve të reja, të cilat dëmtojnë mjedisin, sipas tyre, dhe favorizojnë investitorët e mëdhenj.

Për dy orë demonstruesit serbë bllokuan trafikun rrugor në Beograd, urën e rëndësishme të Danubit në Novi Sad dhe pika qendrore të trafikut në disa qytete të vendit. Protestat drejtoheshin kundër një ligji të miratuar muajin e kaluar për referendumin, që ua vështirëson qytetarëve të protestojnë kundër projekteve që ndotin ambientin, si edhe për një ligj shpronësimi, që ia lehtëson shtetit blerjen e pronës private. Me këtë ligj, sipas protestuesve, favorizohen investitorët e mëdhenj, dhe u mundësohet shfrytëzimi i burimeve lokale. Dëgjoheshin parrulla kritike ndaj qeverisë.

Konkretisht protesta drejtohej kundër projektit për përftimin e litiumit në Loznicë, në perëndim të vendit nga ana e koncernit australiano-britanik të minierave, Rio Tinto. Në urën kryesore të Beogradit demonstruesit thërrisnin “Rio Tinto ik nga lumi Drin”. Ata mbanin edhe pankarta ku shkruhej “Ndalni investorët, shpëtoni natyrën”, apo “Ne nuk e dorëzojmë natyrën në Serbi.” Demonstruesit kërkuan tërheqjen e ligjeve të miratuara së fundmi dhe u shprehën për vazhdimin e protestave.

Litium i kërkuar

Në afërsi të qytetit Loznicë, koncerni Rio Tinto kishte zbuluar në vitin 2006 rezerva të konsiderueshme të litiumit, më të mëdhatë në Europë. koncerni kishte filluar aty me blerjen e tokës, për të nxjerrë më shpejt metalin e shumëkërkuar sot. Qeveria e Serbisë e mbështet këtë plan, por miratimi i autoriteteve ende nuk është dhënë. Koncerni do të investojë, 2,1 miliardë euro në këtë projekt, ka bërë të ditur Vesna Prodanovic, drejtoreshë e filialit serb, Rio Sava. Litiumi bën pjesë tek lëndët metalore më të kërkuara, me rëndësi strategjike në të ardhmen. Ai shërben si një komponent i rëndësishëm tek bateritë e automjeteve elektrikë. Rio Tinto ka premtuar, se do të respektojë të gjitha standardet ekologjike kombëtare dhe ato të BE. Por ambientalistëve kjo nuk u mjafton, ata i tremben ndotjes së pakthyeshme të ujit të pijshëm në rajon.

la/qu/AR (dpa, afp, rtr)