Ballina Aktualitet Lajçak: BE duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor

Lajçak: BE duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor

 

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, thotë se nuk ka alternativë tjetër për Ballkanit Perëndimor përveç integrimit. Ai shprehu shqetësimin se Evropa mund ta humbasë Ballkanin Perëndimor nëse nuk përshpejtohet procesi i zgjerimit.

“Alternativa e vetme është anëtarësimi i plotë i këtyre vendeve në BE”, tha zoti Lajçak, të shtunën në Forumin e Integrimit Ballkanik që po mbahet në Podgoricë.

Bashkimi Evropian, shtoi ai, duhet të jetë i sigurt që anëtarët e rinj të mos sjellin probleme shtesë në bllok.

“Ajo që kam frikë është se mund ta humbasim Ballkanin Perëndimor, i cili është i përkushtuar ndaj vlerave tona””, tha zoti Lajçak duke shtuar se në mungesë të alternativave, në vend që të krijohen shtete ligjore, media të pavarura, shoqëri civile dhe gjyqësorë të depolitizuar, ekziston rreziku i forcimit të tendencave autoritare joliberale.

Një Ballkan i tillë, paralajmëron zoti Lajçak, do të ishte një instrument ndryshimi për interesat strategjike të lojtarëve të tjerë.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Ne duhet të shohim gjërat në mënyrë reale dhe sa sinjale të forta pozitive po i dërgon rajoni Bashkimit Evropian”, tha Miroslav Lajçak në Forumin e Integrimit ballkanik në Podgoricë.