Ballina Sport Botërori një herë në dy vjet, sa dëme iu shkakton klubeve dhe...

Botërori një herë në dy vjet, sa dëme iu shkakton klubeve dhe kampionateve

 

Propozimi i FIFA-s për Botëror një herë në dy vjet, me ndryshime në Kupën e Botës për Klube, mund t’u kushtojë ligave të mëdha të futbollit kombëtar dhe UEFA rreth 8 miliardë euro në sezon, në të drejta televizive të humbura, marrëveshjeve tregtare, si dhe të ardhura nga ndeshjet e ditës.

Ky është përfundimi i një raporti të shoqërisë së konsulencës KPMG dhe Delta Partners. Botërori një herë në dy vjet do të zbehte interesin e reklamuesve për futbollin kombëtar dhe do t’i vinte në një sprovë të fortë lojtarët, duke çuar në një lojë më të dobët në përgjithësi.

Goditja më e fortë do të ishte për të ardhurat televizive. Raporti llogarit se 40 ligat më të mëdha të futbollit kombëtar në të gjithë botën dhe kompeticionet e UEFA për klubet, si Champions league, mund të humbin deri në 5 miliardë euro në sezon vetëm nga marrëveshjet audiovizive, më shumë se një të tretën e të ardhurave aktuale për zërin në fjalë.

Studimi vlerëson se Ligat mund të humbin më shumë se 1 miliard euro në vit për shkak të reduktimit të numrit të ndeshjeve, 1.75 miliardë euro për shkak të një kalendari më të shkurtuar dhe 901 milionë euro për shkak të ndryshimeve në kalendar, me ndeshjet në fundjavë që do të zhvilloheshin në mesjavë.

Të ardhurat totale të të drejtave audiovizive që gjenerohen nga Ligat do të reduktoheshin nga më shumë se 14 miliardë euro në rreth 9 miliardë euro, parashikon studimi. Analisti i Enders Analysis, François Godard, tha se zhvillimi i një Kampionati Botëror një herë në dy vjet do të ishte shumë i rrezikshëm. “Shqetësimi është që në njëfarë pike, kërkesa do të ulet. Rreziku i një rënie të papritur është i madh nëse dobësohet produkti kryesor (kampionatet kryesore)” – shkruan Reuters.

“Nëse vendoset të zbatohet një kalendar i ri, me një Kupë Bote që zhvillohet çdo dy vjet, ndeshjet duhet të zhvendosen dhe të zhvillohen në mesjavë, sezoni do të ishte kompleks dhe më i shkurtër dhe disa futbollistë mund të mos jenë të disponueshëm në njëfarë momenti”.
Raporti shkruan se humbjet tregtare do të ishin deri në 2.16 miliardë euro në sezon, një rënie me rreth 25% dhe ndikimi negativ te të ardhurat nga ndeshjet e ditës do t’u kushtonte klubeve 1.2 miliardë euro (-25%).

Raporti analizoi skenarë të ndryshëm – në secilin prej tyre, Ligat parashikojnë një reduktim me 18 skuadra duke nisur nga sezoni 2024/25, në mënyrë që të përfundojnë kampionatet e tyre në fillim të majit për t’ju përshtatur planeve të FIFA-s.

/ Reuters