Ballina Bota SHBA këshillon amerikanët të mos udhëtojnë në Gjermani

SHBA këshillon amerikanët të mos udhëtojnë në Gjermani

 

Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar amerikanët kundër udhëtimit në Gjermani, ndërkohë që Evropa vazhdon të jetë epiqendër e përhapjes së koronavirusit.

“Shmangni udhëtimin në Gjermani! Nëse duhet të udhëtoni në Gjermani, sigurohuni që jeni të vaksinuar plotësisht para udhëtimit!”, kanë thënë Qendrat për Paradalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara.

“Për shkak të situatës aktuale në Gjermani, edhe udhëtarët e vaksinuar plotësisht mund të rrezikohen nga variantet e koronavirusit”, kanë thënë këto Qendra.

Ekspertët shëndetësorë dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë paralajmëruar se spitalet në Gjermani veçse po përballen me vështirësi në disa rajone, pasi është duke u rritur numri i pacientëve.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka paralajmëruar se “deri në fund të dimrit, siç është thënë ndonjëherë edhe në mënyrë cinike, secili në Gjermani do të jetë i vaksinuar, i shëruar apo i vdekur”.

Në paralajmërimin e SHBA-së që shtetasit amerikanë të mos udhëtojnë përfshihen edhe shtetet si: Danimarka, Belgjika, Kroacia, Hungaria, Austria dhe Holanda.

Të gjitha këto vende janë përfshirë në nivelin e katërt të rrezikut.

Franca dhe Italia, ndërkaq, mbesin në nivelin e tretë të rrezikut.

Sipas këtij niveli, udhëtarëve potencialë u kërkohet të rishikojnë planet e tyre për udhëtim.

Para se të shpërthente pandemia, niveli i katërt i rrezikut ka qenë kryesisht i rezervuar për vendet si Afganistani dhe Iraku, në të cilat ka konflikte dhe kriza tjera.

Në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë ka thënë se 90 për qind e 3.5 milionë punëtorëve federalë – që u është kërkuar të vaksinohen – kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës deri më 22 nëntor.

Në gjithë botën, protestat kanë vazhduar si shenjë pakënaqësie ndaj masave të izolimit dhe kufizimeve tjera, me qëllim të luftimit të pandemisë.

Ishulli Guadalupe pothuajse është izoluar pasi shkollat janë mbyllur dhe barrikadat janë vendosur nëpër rrugë.

Parisi ka dërguar forca elitë të policisë dhe forca kundër-terrorizmit në këtë ishull gjatë fundjavës, me qëllim të ndaljes së dhunës që ka shpërthyer në ishullin turistik me rreth 400,000 banorë.

Ndërkohë në Paris, kryeministri i Francës, Jean Castex, ka njoftuar se ka dalë pozitiv në koronavirus dhe se duhet të izolohet për të paktën 10 ditë, ndonëse vazhdon punën.

Në Republikën Çeke, protestuesit kanë marshuar në kryeqytetin e këtij vendi, Pragë, për të kundërshtuar kufizimet ndaj personave të pavaksinuar.

Qindra persona kanë kërkuar “liri” për të pavaksinuarit dhe kanë refuzuar kërkesën e Qeverisë për t’u imunuzuar.

Protestat kanë vazhduar edhe në Belgjikë dhe Holandë, pasi kryeministri holandez, Mark Rutte, i ka cilësuar tri netët e trazirave si “dhunë të pastër” nga “idiotët”.

Homologu i tij belg, Alexander De Croo, e ka konsideruar protestën e rreth 35,000 personave në Bruksel si “absolutisht të papranueshme”.