Ballina Ravijëzime Banka në Angli prezanton javën e punës me 4 ditë, pa shkurtim...

Banka në Angli prezanton javën e punës me 4 ditë, pa shkurtim page

 

Banka online, Atom Bank, prezantoi javën e punës me katër ditë për 430 punonjësit e saj, duke mos shkurtuar pagën e tyre.

Punonjësit punojnë tani 34 orë në katër ditë dhe do të marrin ose të hënën ose të premten pushim, ndërsa më parë punonin 37.5 orë në të gjithë javën.

Drejtuesi i saj, Mark Mullen, tha për BBC se u frymëzua nga pandemia – kjo do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies dhe ruajtjen e personelit. Punonjësit, megjithatë, duhet të punojnë më shumë orë gjatë ditëve të punës.

“Para Covid, urtësia tradicionale ishte që duhet të bëje rrugë që të shkoje në punë, të uleshe në një tryezë gjithë ditën dhe të përsërisje procesin gjatë kthimit në shtëpi” – tha Mullen, i cili drejton Bankën në Durham që nga viti 2014. “Covid na tregoi se kjo nuk ishte e nevojshme… Mendoj se të punosh nga ora 9:00 – 5:00, nga e hëna në të premten, është një mënyrë e vjetër pune”.

Atom ishte një nga bankat e para inovative dixhitale në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo kishte 2.7 mld paund kredi në regjistrat e saj kontabël në vitin e fundit financiar. Kontratat e reja të punës hynë në fuqi më 1 nëntor, pasi një analizë zbuloi se ato nuk do të ndikonin në shërbimin ndaj klientit ose produktivitetin.

Z. Mullen tha se “formula e re” ishte vullnetare, por reflektonte gjerësisht preferencat e personelit të saj për një punë më fleksibël.

“Të gjithë pritet t’i përmbahen asaj. Unë nuk mund t’i dërgoj email-e stafit tim të premten, nuk mund të pres që ata t’u përgjigjen atyre” – shtoi ai.

Modelet e punës kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Në shekullin XIX, pjesa më e madhe e punonjësve britanikë punonin gjashtë ditë në javë, por në vitet ’30, Henry Ford, në SHBA dhe zinxhiri i farmacive Boots në Mbretërinë e Bashkuar bënë të famshme fundjavën me dy ditë, si një mënyrë për të rritur mirëqenien dhe produktivitetin.

Një studim në Islandë, i kryer te punonjësit e sektorit publik zbuloi se java e punës me katër ditë “ishte një sukses i jashtëzakonshëm” i cili ndikoi në reduktimin e stresit dhe burnout.

Megjithatë, disa punëdhënës besojnë se kjo nuk është gjëja e duhur për t’u bërë.

Në 2019, fondacioni britanik për kërkimin shkencor Wellcome Trust hoqi dorë nga plani për të eksperimentuar një javë pune me katër ditë për 800 punonjësit e saj në selinë qendrore, duke thënë se kjo do të ishte “shumë komplekse në nivel operativ”.

Vendimi ndoqi një studim prej tre muajsh i cili zbuloi se “ngjeshja” e punës nga e hëna në të enjte mund të ndikonte negativisht te mirëqenia e disa punonjësve dhe të shkatërronte produktivitetin.

/ BBC

*Në foto, selia e bankës në Durham