Ballina Bota Pesë të vdekur dhe mbi 40 të plagosur pasi një makinë goditi...

Pesë të vdekur dhe mbi 40 të plagosur pasi një makinë goditi turmën në Wisconsin

 

Një makinë goditi turmën në një parakalim Krishtlindjesh në Waukesha, Wisconsin, të dielën, duke vrarë pesë veta dhe duke plagosur më shumë se 40 të tjerë, përfshirë një grup valltarësh të rinj.

Shefi i policisë në Waukesha, Dan Thompson, tha se një person ndodhet tashmë në paraburgim dhe një makinë është gjetur pas incidentit në qytet, rreth 32 kilometra në perëndim të Milwaukee.

“Tani mund të konfirmojmë se 5 persona kanë vdekur dhe mbi 40 janë plagosur”, shkroi Departamenti i Policisë në Waukesha në llogarinë e tij në Facebook. “Megjithatë, këta numra mund të ndryshojnë ndërsa mbledhim informacione shtesë. Shumë njerëz janë dërguar në spitalet e zonës”.

Nuk dihet nëse incidenti kishte lidhje me terrorizmin, por nuk ka rrezik të mëtejshëm dhe një urdhër i mëparshëm që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi në këtë qytet me rreth 72,000 banorë është hequr, u tha më herët zoti Thompson gazetarëve.

Në një video të postuar në internet, shihet makina me ngjyrë të kuqe që goditi turmën me shpejtësi duke shtypur një duzinë, përpara se grupe qytetarësh të vraponin nga trotuaret për të ofruar ndihmë.

Parakalimi i Krishtlindjeve në këtë qytet mbahet që prej 59 vitesh, gjithmonë të dielën para Ditës së Falënderimeve dhe organizohet nga Dhoma e Tregtisë së qytetit.

Presidenti Joe Biden u informua nga ndihmësit për ngjarjet, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

“Shtëpia e Bardhë po e ndjek nga afër situatën në Ëaukesha dhe zemrat tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky incident i tmerrshëm. Ne kemi kontaktuar me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për të ofruar çdo mbështetje dhe ndihmë sipas nevojës”, tha ai.