Policia hapi zjarr ndaj protestuesve duke plagosur shtatë persona gjatë trazirave që shpërthyen në qendër të Roterdamit ndërsa po demonstrohej kundër kufizimeve të vendosura nga qeveria për shkak të COVID-19. Kryebashkiaku i qytetit holandez i quajti trazirat “një orgji dhune”.
Kryebashkiaku Ahmed Aboutaleb u tha gazetarëve në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës se “në një sërë rastesh policia e ndjeu të nevojshme të përdorte armët për t’u mbrojtur”, ndërsa demonstruesit vërshuan në zonën qendrore tregtare të qytetit port, duke ndezur zjarre dhe duke hedhur gurë dhe fishekzjarrë mbi policinë.
Një numër policësh mbetën të plagosur ndërsa dhjetëra veta u arrestuan. Policia pret të kryej arrestime të reja pas përpunimit të pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, tha zoti Aboutaleb.
Policia e cila përdori edhe topat e ujit, vendosi qetësinë pas mesnatës.
Ky ishte një nga shpërthimet më të këqija të dhunës në Holandë, që kur kufizimet e koronavirusit u vendosën për herë të parë vitin e kaluar. Në muajin janar, demonstruesit sulmuan policinë dhe ndezën zjarre në rrugët e Roterdamit, pasi një shtetrrethim hyri në fuqi.
Holanda përjetoi një rritje rekorde të infektimeve ditët e fundit dhe kufizime të pjesshme hynë në fuqi një javë më parë.