Së shpejti, drejtuesit e automjeteve që hyjnë në qendër të Manhatanit mund të duhet të paguajnë tarifa për ndotjen dhe bllokimin e trafikut.
Tarifa për trafikun e rënduar është një mënyrë se si vende të tilla si Stokholmi dhe Singapori po përpiqen të zhbllokojnë rrugët e të pastrojnë ajrin, duke e bërë më të kushtetueshme për shoferët që drejtojnë automjete që shkaktojnë ndotje të ajrit në qytet.
Me trafikun që bllokon qarkullimin në shumë qytete, ndotjen e ajrit që vret rreth 4 milionë njerëz në vit dhe shqetësimet në rritje për ndryshimin e klimës, interesi për të gjetur mënyra për të reduktuar lëvizjen e makinave po rritet në mbarë botën.
Ekonomistëve u pëlqejnë tarifat për trafikun e rënduar, por drejtuesve të makinave jo dhe aq. Por banorët e qyteteve që e kanë zbatuar këtë praktikë, e kanë pranuar atë.
Politika zakonisht funksionon duke përcaktuar një kufi rreth qendrës së qytetit dhe duke u vendosur tarifa automjeteve që zgjedhin ta kalojnë atë. Disa qytete kanë shkuar përtej tarifave të vendosura lidhur me mbingarkesën e krijuar në trafik dhe kanë vendosur tarifa shtesë, bazuar në nivelin e ndotjes që shkaktojnë modele të ndryshme makinash.
Londra kontrollon automjetet me një rrjet kamerash që fotografojnë targat. Në qytete të tjera, makinat mbajnë targa elektronike. Disa qytete, në vend që të identifikojnë automjete individuale, thjesht ndalojnë automjetet në ditë të caktuara bazuar në numrat e targave.
Qyteti i Nju Jorkut ka filluar të mbajë takime publike për të përpunuar planin e tij lidhur me trafikun e mbingarkuar, i pari që bën një gjë të tillë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas propozimeve aktuale, shoferëve u duhet të paguajnë nga 9 në 23 dollarë për transportuar pasagjerë në jug të atij që njihet si Parku Qendror i qytetit, me disa përjashtime.
Paratë e mbledhura do të shkojnë për përmirësimin e sistemit të transportit publik të qytetit.
Synimi pas vendosjes së këtyre tarifave është që njerëzit të paguajnë për diçka që ata në përgjithësi mendojnë se është falas, por që në të vërtetë nuk është, thotë ekonomisti i Kolegjit “Williams”, Matthew Gibson.
“Kur vendosim të udhëtojmë rreth dy kilometra në një rrugë publike për të cilën nuk paguajmë, nuk mendojmë për kostot që po u imponojmë anëtarëve të tjerë të shoqërisë, në formën e rrezikut për aksidente, ndotjes së ajrit apo bllokimit të trafikut“, thotë ai.
Mbingarkesa në trafik e bën këtë një kosto të detyrueshme. Nëse kostoja është mjaft e lartë, drejtuesit e automjeteve do të kërkojnë alternativa të tilla si transporti publik, të merren vesh me të tjerë persona për të udhëtuar më një makinë të përbashkët, të përdorin biçikleta apo të ecin.
Studimet kanë zbuluar se vendosja e një tarife mbi mbingarkesën e krijuar në trafik funksionon në pjesën më të madhe të rasteve. Por kjo gjë ka nevojë të shtjellohet.
Për shembull, në vitin 2008, Milano filloi t’u vendoste automjeteve që krijonin një ndotje të lartë një tarifë për të hyrë në zonën qendrore të biznesit të këtij qyteti. Masa funksionoi dhe trafiku u reduktua për një fare kohe.
Drejtuesit e automjeteve bënë atë që u kërkohej: zëvendësuan makinat e e vjetra, me të reja, e dolën sërish në rrugë. Trafiku u rikthye.
Kështu në vitin 2012, qyteti vendosi për të gjitha automjetet një tarifë që lidhej me trafikun e mbingarkuar.
Se sa efektive ishte kjo masë u pa kur një gjykatë italiane vendosi ta pezullojë atë, në mesin e vitit 2012: trafiku u rrit menjëherë.
Studiuesit zbuluan se tarifa për mbingarkesë në trafik e kishte reduktuar trafikun me 14.5% dhe se kishte ulur ndotjen e ajrit nga 6% në 17%, një rënie e madhe, duke marrë parasysh që tarifa e vendosur për ndotjen e kishte reduktuar ndërkohë nivelin e emetimeve nga automjetet.
Por ekspertët thonë se tarifat për trafikun e mbingarkuar dhe ndotjen, nuk ndihmojnë shumë gjithmonë për të pastruar ajrin. Ndonjëherë burime të tjera ndotjeje, si termocentralet me qymyr apo industritë të tjera të rënda, shkaktojnë më shumë ndotje sesa automjetet.