Ballina Kulturë Bota e teatrit shqiptar në zi…humbi babin e dramaturgjisë, Fadil Krajën

Bota e teatrit shqiptar në zi…humbi babin e dramaturgjisë, Fadil Krajën

 

Nga Prof. Lisen BASHKURTI
Sot bota e teatrit shqiptar është në zi. U nda nga jeta babi i dramaturgjisë shqiptare, “Mjeshtri i Madh”, Fadil Kraja.
Fadil Kraja lindi e u rrit në kohë të errta, kur bota përjetonte tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Ai u edukua dhe u formula si intelektual dhe krijues në një periudhë të vështirë, të një diktature të ashpër e represive për të gjithë, e vecanrërisht për njerëzit e artit. Fadil Kraja shkelqeu si dramaturg e komedian në një kohë kur mbarë populli shqiptar përjetonte një jetë dramatike, por edhe plot satira e sarkazma.
Në shumë drama të tij, Fadil Kraja u ‘arratis’ në histori, mitologji, folklor, duke i ikur në dukje realiteteve kontraverse të ‘soc-realizmit’, e duke i përthyer tingëllimat e së kaluarës në mesazhe e personazhe të fortë bashkëkohore dhe përtej kohore. Kjo i jep shumë dramave të Fadil Krajës një vlerë estetike universale, te gjithëkohëshme dhe mbarë njerëzore.
Komedia shqiptare gjeti te Fadil Kraja, intelektualin e hollë, që gërshetoi satirën individuale me humorin e qytetarit Shkodran. Komeditë e Fadil Krajës janë gurgullima plot hare, humor, satirë, fshikëllimë e temperament të freskët e hijeshi. Humori e satira e Fadil Krajës ka ngritur në nivele estetikisht profesionale humusin e humorit e satirës shkodrane.
Fadil Kraja hyri herët në dyert e Teatrit Migjeni. Cdo cep i këtij teatri, cdo kthinë e rekuzitë, cdo llozhe e karrige, cdo person e personazhë, cdo aktor e regjizor, cdo punëtor e mbështetës ka kujtime të ngulitura thellë me dhe për Fadil Krajën.
Fadili hyri në teatrin’ Migjeni” për të mos dalë më kurrë prej tij.
Lamtumirë mjeshtër i madh!
Le pas mëndjen dhe shpirtin tënd në dramaturgjinë shqiptare!
Qofsh i paharruar!
U prehësh në paqen e amshuar!