Kompania farmaceutike Pfizer bie dakort të lejojë firma të tjera të prodhojnë ilaçin e saj eksperimental kundër Covid-19.
Kjo do të bënte të mundur që gati gjysma e popullsisë së botës të ketë mundësi të sigurojë ilaçin e ri. Pfizer njoftoi sot se do t’i japë firmës “Medicines Patent Pool” licensën për prodhimin e ilaçit antiviral.
Në bazë të marrëveshjes, firma të tjera mund të prodhojnë të njëjtin ilaç për përdorim në 95 vende, që përbëjnë 53% të popullsisë së botës. Marrëveshja përjashton disa vende të mëdha.
Sipas ekspertëve, fakti që Pfizer po lejon të tjerë ta prodhojnë ilaçin ende pa marrë miratimin për të, do të ndihmojë në dhënien fund më shpejt të pandemisë.
Në bazë të marrëveshjes, Pfizer nuk do të përfitojë nga shitjet në vendet me të ardhura të ulta dhe do të heqë dorë nga fitimet në të gjitha vendet e përfshira në marrëveshje, përsa kohë që Covid-19 të jetë një emergjencë shëndetësore publike.
Në fillim të muajit Pfizer tha se ilaçi i ri ul rrezikun e shtrimit në spital dhe të vdekjeve me 90% për individët me simptoma të lehta deri të mesme infeksioni.
Bazuar në suksesin e ilaçit të ri, ekspertë të pavarur kanë thënë se nuk ka nevojë që provat të vazhdojnë më tej. Pfizer ka në plan të kërkojë autorizim për përdorimin e ilaçit nga Agjencia e Ushqimit dhe Barnave (FDA) sa më shpejt.