Ballina Aktualitet Përfaqësuesit e “Ballkanit të Hapur” përcaktojnë aktivitetet e bashkëpunimit

Përfaqësuesit e “Ballkanit të Hapur” përcaktojnë aktivitetet e bashkëpunimit

 

Grupi punues i nismës “Ballkani i Hapur” u dakordua për aktivitetet që do të zhvillohen deri në mbajtjen e samitit të radhës në nivel të liderëve të vendeve pjesëmarrëse që do të mbahet në Tiranë të Shqipërisë në fund të dhjetorit.

Sipas Qeverisë së Serbisë, aktivitetet do të kontribuojnë në lehtësimin e tregtisë, bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, inspektimin fitosanitar dhe veterinar, si dhe qasje të lirë në tregun e punës.

Nisma e bashkëpunimit të “Ballkanit të Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis tre vendeve.

Në një deklaratë të Qeverisë së Serbisë thuhet se në takimin në Nish ministrat nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut u dakorduan për ngritjen e një grupi të përbashkët pune deri në fund të nëntorit për harmonizimin e politikave tatimore ndërmjet të tria vendeve.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”.

Qeveria aktuale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e hedh poshtë këtë iniciativë dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian.

Çfarë është arritur deri më tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Profesori i Shkencave Ekonomike, Muhamet Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se nisma “Ballkani i Hapur” nuk mund të jetësohet përderisa Serbia ka qasje penguese për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa njohësi i ekonomisë nga Tirana, Fatos Cocoli, i tha REL-it se Kosova duhet ta përkrahë këtë iniciativë pavarësisht problemeve politike me Serbinë.