Ballina Rajoni Maqedonia e Veriut drejt një krize energjitike

Maqedonia e Veriut drejt një krize energjitike

 

Maqedonia e Veriut ndodhet para një krize energjitike dhe është çështje kohe kur autoritetet do ta shpallin gjendjen e emergjencës. Një bllok i Termocentralit në Manastir ndërpreu prodhimin e energjisë elektrike të hënën dhe kjo nga ekspertët shihet si hyrje në një krizën enrgjitike. Ndërkohë, autoritetet thanë se bëhej fjalë për një difekt, një gyp që kishte plasur dhe që do të riparohej deri në fund të ditës.

Por, termocentrali që furnizon me energji elektrike një pjesë të madhe të vendit, është përballur edhe me mungesën e qymyrit në javët e fundit, teksa para pak ditësh janë shpallur tendera për blerjen e qymyrit.

Edhe në termocentralin në Osllomej pranë Kërçovës po bëhen riparime, sipas kompanisë “Elektro-Ekonomia e Maqedonisë (ESM)” dhe ai pritet të fillojë me punë në dhjetor. Qeveria, ndërkaq e lëshoi në përdorim termocentralin në Negotinë që prej vitesh nuk funksionte.

Ekspertët thonë se vendi shpenzon më tepër energji elektrike se sa që prodhon dhe për shkak të problemeve të shpeshta në Termocentralin e Manastirit, ESM në fillim të muajit bleu rreth 26 mijë megavat energji elektrike për një shumë prej 5.5 milionë eurosh, ndërsa të dielën u blenë edhe 240 megavat shtesë.

Ekspertët kanë paralajmëruar se vendi mund të duhet të rrisë çmimin e energjisë elektrike për pajisjet e amvisërisë. Megjithatë, problemet me furnizim të energjisë elektrike do të mund të vazhdojnë dhe autoritetet qeveritare kanë thënë se në këtë periudhë nuk do të ketë rritje të çmimit për qytetarët.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi i ka sugjeruar qeverisë që të shpallë gjendjen e krizës lidhur me energjinë elektrike që mes tjerash parashikon ndihmën për kompanitë e këtij sektori. Qeveria pritet nesër të marrë një vendim për këtë.