Ballina Aktualitet Yahoo tërhiqet nga Kina: Mjedis sfidues

Yahoo tërhiqet nga Kina: Mjedis sfidues

 

Kompani që ofron shërbime në internet Yahoo Inc. njoftoi të martën se është tërhequr nga Kina, duke përmendur si shkak atë që e cilësoi një “mjedis gjithnjë e më sfidues biznesi e ligjor”.

Autoritetet kineze ruajnë një kontroll të fortë mbi internetin në vend dhe kërkojnë që kompanitë që operojnë në Kinë të censurojnë përmbajtjen dhe fjalët kyçe që Pekini i konsideron politikisht të ndikueshme ose të papërshtatshme.

Duke njohur mjedisin gjithnjë e më sfidues për biznesin dhe atë ligjor në Kinë, paketa e shërbimeve që ofron Yahoo nuk do të jetë më e arritshme në Kina duke filluar që nga 1 nëntori”, njoftoi kompania nëpërmjet një deklarate.

Kompania tha se “mbetet e përkushtuar ndaj të drejtave të përdoruesve dhe një interneti të lirë e të hapur”.

Tërheqja e kompanisë përkon me zbatimin nga ana e autoriteteve kineze të ligjit për Mbrojtjen e Informacionit Personal, i cili kufizon informacionet që kompanitë mund të mbledhin dhe vendos standarde se si duhet të ruhen ato.

Ligjet kineze përcaktojnë gjithashtu që kompanitë që operojnë në vend duhet të dorëzojnë të dhëna nëse kërkohen nga autoritetet, duke e bërë të vështirë për kompanitë perëndimore që operojnë në Kinë pasi ato gjithashtu mund të përballen me trysninë e vendeve të tyre të origjinës për “dorëzimin” përballë kërkesave të Pekinit.

Në vitin 2017 Yahoo u kritikua nga ligjvënësit amerikanë pasi i dorëzoi Pekinit të dhënat për dy disidentë kinezë, çka çoi në burgosjen e tyre.

Yahoo i kishte reduktuar që më parë operacionet e saj në Kinë dhe në vitin 2015 mbylli zyrën e saj në Pekin. Tërheqja nga vendi është kryesisht simbolike pasi të paktën disa nga shërbimet e kompanisë, përfshirë portalin e saj në internet, tashmë janë bllokuar.

Kina gjithashtu ka bllokuar shumicën e faqeve ndërkombëtare të mediave sociale si Facebook-un dhe Google-n. Përdoruesit në Kinë që dëshirojnë të hyjnë në këto shërbime e anashkalojnë atë duke përdorur një rrjet privat virtual (VPN).