Ballina Aktualitet Avaria në tubacionin bullgar ndërpret furnizimin me gaz në Ballkan

Avaria në tubacionin bullgar ndërpret furnizimin me gaz në Ballkan

 

Operatori i rrjetit të gazit në Bullgari “Bulgartransgaz” njoftoi se pas një avarie në tubacion ka ndaluar transportin e gazit natyror në Rumani, Serbi dhe Hungari.

Kompania tha më 1 nëntor se avaria ndodhi në orët e mëngjesit në afërsi të fshatit verilindor Vetrinos. Ekipet po punojnë në zëvëndësimin sa më të shpejt të asaj pjese të tubacionit të gazit.

Transporti i gazit natyror në Rumani u ndërpre automatikisht ndërsa më vonë u rivendos pjesërisht, por furnizimi në Serbi dhe Hungari është pezulluar, tha Bulgartransgaz. Përmes rrjetit të saj, Bullgaria transporton gazin rus në Serbi dhe Hungari.

Në Bosnje-Hercegovinë, Sarajevogas, shpërndarësi kryesor i gazit për kryeqytetin, njoftoi se furnizimet me gaz do të kufizoheshin ndërsa për konsumatorët që përdorin burime alternative të energjisë furnizimi do të ndërpritet. Kantoni i Sarajevës është gjithashtu konsumatori më i madh i gazit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sarajevogas tha se po punohet në rregullimin e defektit, por se nuk dihet se kur do të normalizohet furnizimi.

Ndërkohë, Serbia aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus.

Ky vend arrin të përmbushë vetëm 13 për qind të nevojave nga prodhimi i brendshëm.