Ballina Aktualitet Departamenti Amerikan i Shtetit lëshon pasaportën e parë me gjini të papërcaktuar

Departamenti Amerikan i Shtetit lëshon pasaportën e parë me gjini të papërcaktuar

 

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se ka lëshuar pasaportën e parë amerikane ku shënohet gjinia X për interseksualët apo personat që nuk identifikohen me asnjërën nga gjinitë, mashkull apo femër.

Në një njoftim të postuar në faqen e internetit të departamentit, zëdhënësi Ned Price tha se ky vendim vjen pas një angazhimi të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken të ndërmarrë në muajin qershor për të përcaktuar një shenjë për një gjini të tretë, “një hap tjetër drejt garantimit të të drejtë të komunitetit LGBTQI+ në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht gjinisë ose seksit që ata kanë”.

Zoti Price tha se Departamenti i Shtetit do ta ofrojë këtë mundësi për të gjithë ata që aplikojnë normalisht për pasaportë, në fillim të vitit të ardhshëm, pasi të përfundojë përditësimi i sistemit dhe formularëve të aplikimit për pasaporta. Departamenti gjithashtu do të ofrojë përditësime dhe informacione të reja në faqen e tij të internetit.

Në komentet për “Associated Press” të mërkurën, e dërguara e posaçme diplomatike e SHBA-së për të drejtat e komunitetit LGBTQI+, Jessica Stern, tha se ky ishte një vendim “historik që duhej festuar”. Ajo shtoi se vendimi bën që dokumentet e udhëtimit që lëshuara nga qeveria, të jenë në përputhje me “realitetin” e përditshëm, sipas të cilit ekziston një spektër më i gjerë i lidhur me karakteristikat seksuale të njeriut sesa pasqyrohet në dy emërtimet e mëparshme siç tha ajo.

Kur një person pajiset me një dokument identiteti që pasqyron identitetin e tij të vërtetë, ai jeton me dinjitet dhe respekt më të madh“, tha Jessica Stern.

Departamenti i Shtetit nuk ka bërë të ditur se për kë është lëshuar pasaporta e parë që parashikon gjininë X, por sipas agjencisë së lajmeve “Associted Press”, Dana Zzyym, një interseksuale që jeton në Kolorado, ka qenë në një betejë ligjore me departamentin që nga viti 2015.

Asaj iu refuzua pasaporta pasi nuk kishte shënuar në aplikimin e saj gjininë mashkull apo femër. Sipas dokumenteve të gjykatës, Zzyym kishte shkruar “interseksuale” sipër kuadrateve ku ishte shënuar “M”, referuar seksit mashkull dhe “F” referuar seksit femër dhe nëpërmjet një letre kishte kërkuar vendosjen e shenjës gjinore “X”.

Me këtë vendim SHBA-ja i bashkohet disa vendeve të tjera si Australia, Zelanda e Re, Nepali dhe Kanadaja, që kanë lejuar qytetarët e tyre të caktojnë një gjini tjetër krahas mashkull apo femër në pasaportat e tyre.

Zonja Stern i tha agjencisë AP, se zyra e saj planifikom ta ndajë përvojën amerikane me vende të tjera, me shpresën që ajo të frymëzojë edhe më shumë qeveri për të ofruar një mundësi të tillë.