Ballina Ravijëzime Jo gjithnjë vetëm anglisht: Si humbasin dijet dhe zhduken gjuhët

Jo gjithnjë vetëm anglisht: Si humbasin dijet dhe zhduken gjuhët

 

Tradicionalisht rezultatet e kërkimeve shkencore publikohen në gjuhën angleze në revista shkencore. Kjo është mënyra e vetme për tu perceptuar nga publiku, sepse sot gjuha angleze është gjuha e komunikimit të gjithë botës. Kush kërkon që të bëjë diçka me dije ose të informojë në nivel ndërkombëtar, e bën këtë gjë me gjuhën angleze.

Megjithatë jo të gjitha rezultatet e kërkimeve shkencore publikohen në gjuhën angleze, kështu që këto zbulime ose analiza nganjëherë shumë të rëndësishme nuk vihen re, gjë që është tragjike! Njohuritë dhe ekspertizat rajonale nuk transmetohen tek të tjerët dhe mund të humbasin përgjithnjë.

Njohuri të pa vëna re mbi biodiversitetin  

Sa pasuruese mund të jetë përfshirja edhe e këtyre rezultateve kërkimore, e tregon një ekip ndërkombëtar me 60 studiues që drejtohen nga Universiteti i Queenslandit. Ky ekip pa analizuar 466 gazeta shkencore në gjuhën joangleze nga fusha e ekologjisë dhe mbrojtjes së natyrës, të botuara në 16 gjuhë që vijnë nga 38 rajone të botës. Rezultati i studimit të tyre, që natyrisht është publikuar në gjuhën angleze, thotë shumë qartë se punimet shkenore që botohen në gjuhë të tjera dhe për këtë arsye edhe janë injoruar deri tani, mund të ndihmojnë pa dyshim për të mbrojtur më mirë shumëllojshmërinë biologjike të tokës.

Fitimi i njohurive është i matshëm

Puna nuk është vetëm tek perceptimi dhe vlerësimi i njohurive ekzistuese, që mund të përmbajë shumëllojshmërinë, por edhe me kuantitetin e pastër të fushave kërkimore: Rezultati i studimit thotë se nëse në studimet për mbrojtjen e natyrës përfshihen edhe gjuhët e tjera, atëherë sipërfaqja gjeografike e studiuar rritet me 25 përqind.

Edhe numri i llojeve të kafshëve që studiohen rritet në mënyrë të konsiderueshme: tek amfibët me pesë përqind, tek gjitorët me nëntë përqind dhe tek zogjtë me 32 përqind.  

Edhe studimet e botuara në gjuhën gjermane mbeten  

Studimet e botuara në gjuhën gjermane i ka vlerësuar dr. Kerstin Jantke nga CEN, Qendra për studimet e tokës dhe qëndrueshmërisë në Universitetin e Hamburgut. Ajo ka parë 2756 artikuj shkencor të botuar në tre revista ekologjie nga viti 1965 deri në vitin 2019. Vetëm në këto publikime në gjuhën gjermane janë studiuar 65 masa efektive për mbrojtjen e natyrës për ruajtjen e nëntë llojeve të reja amfibesh, 64 lloje gjitarësh dhe 217 lloje zogjsh. “Por këto njohuri kanë qenë të paarritshme për shkencën ndërkombëtare,” thotë Jantke. “Për t’i bërë rezultatet të arritshme në gjithë botën, ato janë futur në një bank të dhënash me akses të hapur. Kjo bankë të dhënash përmban përmbledhje të të gjitha studimeve të kontrolluara në 16 gjuhë të botës, një projek gjigand!”  

Gjuha transporton njohuri shërimi 

Rezultate të rëndësishme studimi, që janë botuar në gjuhë të mëdha, por jo në gjuhën angleze, mbeten shpesh pa u vënë re. Më dramatike situata është kur kemi të bëjmë me njohuri që jepen vetëm në gjuhët që fliten krahasimisht nga pak njerëz. Sidomos kur një pjesë e madhe e studimeve në gjuhë të tjera vijnë nga rajonet e Amerikës Latine, ku biodiversiteti është shumë i rrezikuar. “Edhe njohuritë që dalin nga dijet indigjene, Indigenous Knowledge, shpesh nuk publikohen në gjuhen angleze. Por nëse ne i injorojmë ato, atëherë humbasim shumë nga mbrojtja e suksesshme e klimës dhe natyrës,” thotë Kerstin Jantke. “Ne duhet t’i përdorim këto dije dhe jo t’i harrojmë.”

Një studim i Universitetit të Zyrihut ka treguar kohët e fundit, sa ngushtë janë të lidhura njohuritë ekzistuese për botën bimore në Amerikën Latine me gjuhët indigjene në rrezik.

Sipas studimit, 75 përqind e përdorimit të bimëve medicinale njihet vetëm në një gjuhë.

Për studimin e botuar sigurisht në gjuhën angleze, analizohen 645 lloje bimësh të zonave veriperëndimore të Amazonës dhe përdorimet e tyre mjekësore, sipas transmetimit gojor të bërë në 37 gjuhë. Në këtë territor njohuritë për bimët shëruese ishin madje 91 përqind në vetëm një gjuhë të vetme.

Me humbjen e gjuhës humbasin edhe dijet 

Meqenëse tek popujt autokton dijet transmetohen vetëm me gojë, me zhdukjen e gjuhës humbasin pa kthim edhe njohuritë mjekësore e fituara me breza të tërë.

“Sa herë që zhduket një gjuhë, zhduket edhe një zë që flet, një mundësi për t’i dhënë kuptim realitetit, zhduket një mundësi për të bashkëvepruar me natyrën, zhduket një mundësi për të përshkruar dhe emëruar kafshët dhe bimët,” thotë Jordi Bascompte, studiues në sektorin e biologjisë evoluese dhe ambientit në Universitetin e Zyrihut.

Në gjithë botën aktualisht 42 përqind e rreth 7 mijë gjuhëve ekzistuese janë në rrezik zhdukjeje. Sipas Organizatës për studimin e gjuhëve, SIL International, vetëm në Brazil, ekzistojnë sot vetëm 160 gjuhë nga 1000 gjuhët indigjene që fliteshin para ardhjes së portugezëve në vitin 1500.

Duhen ruajtur shancet për medikamentet e reja 

Kështu zvogëlohen edhe shancet për zbulimin e medikamenteve të ardhshme, vëren në studim Bascompte nga Universiteti i Zyrihut. Sepse edhe sot shumë medikamente fitohen nga bimët medicinale. Si për shembull acidi acetilsalicik që futet në medikamentet për dhimbjen e kokës, përbërësi aktiv i të cilave gjendet tek shelgjet e bardha (Salix alba L.), ose morfina që prodhohet nga lulekuqet, (papaver somniferum).

Në mënyrë që ky potencial të mos humbasë duhet që të mbrohen si llojet e bimëve ashtu edhe dijet për forcën shëruese të bimëve. Shumëllojshmëria biologjike dhe ajo kulturore janë të pandashme nga njëra tjetra.

“Ne nuk mund ta injorojmë këtë ndërthurje dhe të mendojmë vetëm për bimët ose vetëm për kulturën,” thotë Bascompte duke pasur parasysh humbjen e diversitetit të llojeve. “Ne njerëzit jemi shumë të zotë të homogjenizojmë kulturën dhe natyrën, dhe të bëjmë që natyra të duket pak a shumë njëlloj kudo.”

Rol qendror në shkollat indigjene 

Meqenëse që prej periudhës së kolonalizmit gjuha sunduese në Brazil është gjuha portugeze, shumë prindër indigjen kanë hequr dorë nga gjuha e nënës për t’i përgatitur fëmijët që të kenë sukses në shoqëri. “Nga pikëpamja shkencore një gjuhë është në rrezik nëse njerëzit ndalojnë së foluri në gjuhën e nënës me fëmijët e tyre,” thotë Luciana Sanchez Mendes, një linguiste e specializuar në gjuhët indigjene.

Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike dhe kulturore në Brazil luajnë shkollat indigjene nëpër fshatra, ku fëmijët mësojnë si në gjuhën portugeze ashtu edhe në gjuhën fillestare të komunitetit.

UNESCO bën thirrje për dekadën e aksioneve

“Ekziston një botë tjetër përveç asaj angleze,” thotë Bascompte. “Aty fliten gjuhë të cilat ne na pëlqen t’i harrojmë, gjuhë që fliten nga njerëz të varfër apo të panjohur, që nuk luajnë ndonjë rol në nivel kombëtar, që nuk ulen në tavolinën e organeve të caktuara, tek Kombet e Bashkuara, apo vende të ngjashme.

Për të ruajtuar gjuhët e vlefshme indigjiene dhe për t’i ringjallur ato, UNESCO e ka shpallur dhjetëvjeçarin nga 2022 deri më 2032, dekadën e gjuhëve indigjene.

Ne duhet të përpiqemi ta përdorim këtë thirrje të Kombeve të Bashkuara për të rritur vetëdijën për shumëllojshmërinë kulturore dhe për t’u bërë të ndërgjegjshëm sa të lumtur duhet të jemi që jemi pjesë e kësaj shumëllojshmërie të mrekullueshme.”