Ballina Aktualitet Ministrat e BE-së pritet të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor

Ministrat e BE-së pritet të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor

 

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në takimin e tyre në Luksemburg, pritet që të hënën, mes tjerash, të flasin edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, pas tensioneve të fundit në disa vende të rajonit, si në Bosnje-Hercegovinë e Mal të Zi ashtu edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse nuk është formalisht në agjendën e takimit të Këshillit të Çështjeve të Jashtme, kjo temë pritet të diskutohet në fund të takimit.

Po ashtu, burimet e BE-së kanë paralajmëruar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të njoftojë ministrat për situatën në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për bisedat që ai i ka zhvilluar në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Borrell, javën e fundit, ka nxitur shumë reagime me prononcimin e tij rreth zhvillimeve në veri të Kosovës duke e quajtur të papranueshme çdo, siç është shprehur ai, “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar që shkakton tensione”.