Ballina Aktualitet Kina do të analizojë mijëra kampionë gjaku Covid-19 në Wuhan

Kina do të analizojë mijëra kampionë gjaku Covid-19 në Wuhan

 

Kina po përgatitet të testojë dhjetëra mijë mostra të bankave të gjakut nga qyteti Wuhan si pjesë e një hetimi për origjinën e Covid-19 – sipas një zyrtari kinez. Kjo po vjen si rezultat i thirrjeve në rritje për transparencë mbi shfaqjen e virusit.

Sasia prej deri në 200,000 mostra, përfshirë edhe ato të muajve të fundit të vitit 2019, u përcaktuan në shkurt të këtij viti nga grupi i hetuesve i Organizatës Botërore të Shëndetësisë si një burim i mundshëm i informacionit kyç që mund të ndihmojë në përcaktimin se kur dhe ku virusi kaloi për herë të parë te njerëzit.

Kampionët e gjakut janë ruajtur në Qendrën e Gjakut në Wuhan dhe mendohet të përfshijnë vitin 2019, duke siguruar mostra të indeve në kohë reale nga një pjesë e madhe e popullsisë në qytetin kinez, ku SARS-CoV-2 mendohet se ka infektuar njerëzit e parë.

Kampionët e bankës së gjakut janë ruajtur për dy vjet, thanë zyrtarët kinezë, në rast se ato nevojiten si dëshmi në çdo çështje ligjore që lidhet me dhurimet e gjakut.

Kjo periudhë pritjeje dyvjeçare do të përfundojë së shpejti për muajt kyç të tetorit dhe nëntorit 2019, kur shumica e ekspertëve mendojnë se virusi mund të ketë infektuar njerëzit për herë të parë. Një zyrtar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës, tha për CNN se përgatitja për testimin është aktualisht në proces, dhe testimi i konfirmuar do të ndodhë pasi të jetë arritur kufiri dyvjeçar.

“Kjo do të na ndihmojmë të kuptojmë kohën e ngjarjes së shpërthimit,” tha Yanzhong Huang, anëtar i lartë për shëndetin global në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ato “përmbajnë të dhëna të rëndësishme”, tha Maureen Miller, profesor i epidemiologjisë në Universitetin Columbia. Ajo i kërkoi Kinës që të lejojë ekspertët e huaj të vëzhgojnë procesin. “Askush nuk do të besojë asnjë rezultat që raporton Kina nëse nuk ka vëzhgues të huaj të kualifikuar “, tha ajo.

Mostrat mund të tregojnë se kush u infektua për herë të parë, ku, moshën dhe profesionin e tyre, shtoi Miller.

Kreu i ekipit kinez që punon për hetimin e OBSH-së, Liang Wannian, tha në një konferencë shtypi në korrik se Kina do të testonte kampionët e gjakut, duke shtuar se sapo ekspertët kinezë “të kenë rezultatet, ata do t’ia dorëzojnë ato si ekipit të ekspertëve kinezë edhe atyre të huaj”.

“Mostrat e gjakut, nëse ruhen në mënyrën e duhur, mund të përmbajnë të dhëna kyçe të antitrupavetë parë të prodhuar nga njerëzit kundër sëmundjes”-thanë ekspertët.

Liang tha në korrik se, ndërsa rasti i parë i raportuar ishte në Wuhan më 8 dhjetor, “hulumtimi ynë dhe dokumentet e mëparshme kërkimore të shkencëtarëve kinezë sugjerojnë që ndoshta 8 Dhjetori nuk është rasti i parë. Mund të ketë raste të tjera më të hershme “.

Dr. William Schaffner, nga Departamenti i Sëmundjeve Infektive të Departamentit të Mjekësisë në Universitetin Vanderbilt, sugjeroi që mostrat mund të silleshin në Gjenevë, ose në një destinacion tjetër neutral, për të lejuar që ekspertët e OBSH-së të merrnin pjesë në testim.

Kina këmbëngul në transparencën dhe bashkëpunimin e saj ndaj hetimit të OBSH -së. Në deklaratën e saj më të fundit në lidhje me teorinë që virusi doli nga një laborator, vuri në dukje pretendimet e paprovuara në lidhje me Fort Detrick, laboratorin amerikan në Maryland, dhe nevojën për të hetuar të kaluarën e tij. / CNN