Ballina Aktualitet Donatorët ndërkombëtarë kërkojnë mënyra për të ndihmuar afganët

Donatorët ndërkombëtarë kërkojnë mënyra për të ndihmuar afganët

 

Në një konferencë urgjente këtë javë, Bashkimi Evropian premtoi më shumë se 1 miliardë dollarë ndihma humanitare për Afganistanin dhe vendet fqinje, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se miliona afganë po përballen me urinë. Por Shtetet e Bashkuara janë treguar të kujdesshme, duke thënë se po dërgojnë ndihma humanitare, por nuk mund të sigurojnë fonde drejtpërdrejt për qeverinë e udhëhequr nga talebanët derisa ata të fillojnë të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell më shumë hollësi.

No media source currently available

0:002:560:00

Situata në Afganistan është e rëndë, veçanërisht për fëmijët. Këtë javë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i bëri thirrje botës që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të injektojë para në ekonominë afgane për të shmangur kolapsin.

“Populli afgan nuk mund të vuajë një dënim kolektiv sepse talebanët sillen keq. Njerëzit nuk duhet të vdesin nga uria në asnjë rrethanë”, tha zoti Guterres.

Në një konferencë urgjente virtuale këtë javë, Bashkimi Evropian premtoi më shumë se 1 miliardë dollarë ndihmë të re humanitare për Afganistanin. Uashingtoni ka miratuar rreth 64 milionë dollarë javët e fundit. Gazetarët i shtruaCn pyetjen zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Ned Price nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë më shumë.

“Nuk jemi në gjendje të ofrojmë mbështetje financiare për talebanët ose ndonjë qeveri të ardhshme afgane derisa të shohim përmbushjen e kërkesave thelbësore, dhe të respektohen dhe zbatohen plotësisht të drejtat e popullit afgan.”

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, një zëvendësministër taleban u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që të çbllokojnë asetet afgane të ngrira jashtë vendit.

“Ngrirja e aseteve është padrejtësi ndaj popullit afgan. Jemi duke negociuar me amerikanët, vendet e tjera dhe bankat ndërkombëtare për të çbllokuar këto para sepse ato i pëkasin popullit afgan. Këto asete janë buka e afganëve dhe çbllokimi i tyre është thelbësor në zgjidhjen e problemeve ekonomike për popullin afgan.”

Ndalimi i ndihmës direkte dhe ngrirja e aseteve po ndikojnë tek ekonomia afgane, tha për Zërin e Amerikës William Byrd nga Instituti Amerikan i Paqes.

“Problemi i vërtetë me ngrirjen e aseteve është se ka ndaluar futjen e çdo kartëmonedhe të huaj në atë vend. Kështu që të gjithë po kufizohen nga mungesa e burimeve të parave, dhe në mënyrë paradoksale qeveria e re afgane nuk mund të printojë para, sepse kartmonedhat janë shtypur jashtë vendit”.

Michael Kugelman me Qendrën Wilson thotë për Zërin e Amerikës se shumë afganë po presin para bankave për të tërhequr një pjesë të parave të tyre.

“… si rezultat, bankat tani kanë shumë më pak para sesa kishin vitet e mëparshme, çfarë ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha. Ka rradhë të gjata për të tërhequr para nga bankat. Madje, talebanët lejojnë hapjen e bankave”.

Ndërsa rrogat nuk paguhen dhe ushqimi është i pakët në shumë zona, disa afganë po përpiqen të kalojnë kufirin drejt Iranit. Shumë prej tyre po kapen dhe kthehen mbrapsht. Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se nëse situata humanitare nuk përmirësohet, miliona afganë ka të ngjarë të përpiqen të largohen nga vendi i tyre.