Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, zyrtarë të tjertë të lartë të Ballkanit Perëndimor si edhe ekspertë të fushave të ndryshme diskutuan të enjten në Shkup mbi integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
Në takimin e organizuar nga revista The Economist, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nënvizoi nevojën e bashkëpunimit rajonal kundër kriminalitetit të organizuar dhe duke folur për ngjarjet e djeshme në Veriun e Kosovës tha se atyre nuk duhet t’u jepen ngjyrime etnike dhe të mos politizohen.
Në takim mbizotëruan çështjet e përfshirjes dhe solidaritetit në periudhën gjatë pandemisë së koronavirusit, ndërsa panelistët folën edhe për çështjet e korrupsionit e të kriminalitetit të organizuar.
Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar që mori pjesë virtualisht, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin shtetet e rajonit (të Ballkanit Perëndimor) që sa më shpejt të bëhen pjesë e familjes evropiane.
Zyrtari amerikan nënvizoi se SHBA kanë marrëveshje me BE-në se çfarë duhet bërë me këtë pjesë të Ballkanit.
“Marrëveshja ka të bëjë me integrimin e rajonit”, tha zoti Escobar.
Ai tha se SHBA e kanë të qartë se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së duan që procesi i integrimit të ndodhë shpejt dhe se këto vende të Balkanit Perëndimor kanë detyra të pakryera, siç janë ato të sundimit të ligjit apo respektimit të pakicave etnike, por se këto janë çështje me të cilat SHBA dhe BE po punojnë së bashku për t’i zgjidhur.
Zyrtari amerikan shtoi se SHBA nuk e shikon Ballkanin si sfidë, por si mundësi bashkëpunimi dhe se mungesa e integrimit në BE mund të sillte destabilizim më të madh për rajonin.
Lidhur me çështjen midis Kosovës e Serbisë, zoti Escobar u shpreh se “energjia politike duhet të përqendrohet tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ndihmuar nga BE. SHBA e mbështet fuqishëm këtë dialog”.
Për sa i përket vendimit të Serbisë për të qëndruar jashtë NATO-s, zyrtari amerikan tha se “nuk sheh problem në neutralitetin ushtarak të këtij vendi, ndërsa orientimi i tij është drejt Bshkimit Evropian”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor varet nga përparimi dhe qëndrueshmëria e të gjitha vendeve.
Duke u përgigjur mbi ngjarjet e djeshme në Veriun e Kosovës, ai tha se lufta kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit është shumëetnike dhe nuk duhet ngjyrosur me elemente etnike as duhet politizuar. “Kriminelët serbë dhe ata shqiptarë bashkëpunojnë shkëlqyeshëm dher ne, shtoi ai, do ta luftojmë këtë dukuri pa marrë parasysh reagimet”. Zoti Kurti tha se gjykatësi që kishte dhënë urdhërin për aksionin policor si dhe prokurori ishin të përkatësisë serbe, teksa disa policisë të plagosur ishin shqiptarë e disa të tjerë serbë.
“Ne duhet të bashkëpunojmë si gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor kundër kriminalitetit të organizuar që mbase është shumë më tepër i integruar se sa që jemi ne”, u shpreh zoti Kurti duke theksuar nevojën e funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Në lidhje me çështjen e targave të automjeteve, ai tha se do të dëshironte që të mos mbulohen fare simbolet shtetërore dhe që të mos ketë barriera reciproke.
Kryeministri i Kosovës ndërkohë, theksoi se nuk duhet harruar e kaluara në vendet e Ballkanit për të arritur tek pajtimi dhe se “po nuk ndjeve faj dhe përgjegjësi për atë që ka ndodhur do ta përsëritësh edhe një herë atë”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për nevojën e zhvillimit përmes lidhjeve dhe integrimit të ekonomive në tregun e përbashkët evropian, deri integrimin e plotë në BE.
Ndërkaq, të mërkuren Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mbajti një takim në qytetin kufitar serb të Rashkës me përfaqësues të serbëve të Kosovës. I shoqëruar nga ministrat e mbrojtjes dhe të brendshëm dhe komandantët ushtarakë, ai tha se “çfarëdo që të ndodhë, Serbia dhe Beogradi do të jenë me ju”, ndërsa u shpreh se “nëse fuqitë perëndimore dështojnë të mbrojnë serbët, këtë do ta bëjë Serbia”.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës.
Në takimin e së enjtes, Kryeministri maqedonas Zoran Zaev theksoi problemet me Bullgarinë fqinje rreth historisë dhe identitetit maqedonas që ka shtyrë Sofjen të bllokojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Zaev megjithatë shpreson se pas zgjedhjeve presidenciale në Bullgari dhe të atyre vendore në Maqedoninë e Veriut do të rriten gjasat për zgjidhjen e krizës.
Nga ana tjetër, zëvendës-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç duke theksuar domosdoshmërinë e reformave në gjyqsor dhe sundimin e ligjit, tha mes tjerash se 20 përqind e cigareve të kontrabanduara në Bashkimin Evropian kalojnë përmes Malit të Zi.