Ballina Ravijëzime Pajisja që prodhon ujë nga ajri

Pajisja që prodhon ujë nga ajri

 

Një makineri e kushtueshme që mund të prodhojë ujë nga ajri po bëhet mjaft popullore në Kaliforninë e goditur rëndë nga thatësirat e vazhdueshme.

Sistemet që nxjerrin ujë nga ajri funksionojnë pothuajse sikurse frigoriferët, duke shfrytëzuar spiralet për ftohjen e ajrit, dhe pastaj mbledhur pikat e ujin në një rezervuar të krijuar enkas brenda makinerisë.

Ted Bowman është një prej inxhinierëve që kanë krijuar këtë makineri me firmën “Tsunami Products” me qendër në shtetin e Uashingtonit.

“Motoja jonë është, uji nga ajri nuk është magji, është shkencë, dhe kjo është me të vërtetë ajo që ne po bëjmë me këto makineri”, thotë inxhinieri.

Kjo është një nga shumë pajisjet e zhvilluara gjatë viteve të fundit me synimit për të tjetërsuar ajrin e lagësht në ujë. Të tjera përdorin rrjeta speciale, panele diellore dhe kontenierë transporti që mbledhin lagështinë nga ajri.

Inxhinieri Bowman thotë se pajisjet që prodhon kompania e tij mund të përdoren në shtëpi, zyra apo ferma. Pajisja thith lagështinë e ajrit dhe krijon ujë të filtruar duke e bërë atë të pijshëm.Në zonat me mjegull, makineria mund të prodhojë nga 800-8600 litra ujë në ditë. Por edhe në zonat bregdetare, si Kalifornia që ka ajër me lagështi, makineria funksionon mjaft mirë.

Por këto makineri kanë çmime të larta nga 30 mijë dollarë deri në 200 mijë dollarë.

Pronarët e shtëpive në Kaliforninë e goditur nga thatësira e vazhdueshme po i blejnë këto pajisje për të plotësuar nevojat, pasi në atë shtet ka kufizime. Thatësira më e theksuar e kohëve të fundit ka shterruarrezervuarët.

Don Johnson, banor i qytetit Benicia në zonën e San Françiskos bleu një pajisje të vogël sa një kondicioner portativ që vendoset në dritare. Ai thotë se shpresonte të prodhonte ujë të mjaftueshëm sa për të vaditur kopshtin. Por ai thotë se makineria po prodhon ujë të mjaftueshëm për të gjitha nevojat e familjes dhe vaditur kopshtin.

Përveç çmimit të lartë, pajisja kërkon një sasi të konsiderueshme energjie për të funksionuar. Por Johnson thotë se panelet diellore në çatinë e shtëpisë së tij prodhojnë energji të mjaftueshme pa kosto shtesë për makinerinë që prodhon ujë të pijshëm.