Ballina Kulturë Krijuesit e gjeneratës së re të katalizatorëve fitojnë Çmimin Nobel në Kimi

Krijuesit e gjeneratës së re të katalizatorëve fitojnë Çmimin Nobel në Kimi

 

Shkencëtari gjerman Benjamin List dhe ai amerikan David MacMillan fituan çmimin Nobel në kimi për vitin 2021 për krijimin e mekanizmave të reja që bëjnë të mundur ndërtimin e molekulave që ndihmojnë, jo vetëm në prodhimin e ilaçeve të reja, por edhe që mbrojnë mjedisin.

Ata do të ndajnë shpërblimin prej 1.14 milionë dollarësh, që shoqëron çmimin, për punën e tyre të pavarur, në atë që njihet si “organokataliza asimetrike”. Akademia suedeze e cilësoi atë si “një mjet të ri gjenial për ndërtimin e molekulave”.

“Katalizatorët organikë mund të përdoren për të nxitur shumë reaksione kimike”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në një deklaratë. “Duke përdorur këto reaksione, studiuesit tashmë mund të ndërtojnë në mënyrë më efikase çdo gjë, nga ilaçet e reja tek molekulat që mund të kapin dritën e diellit për ta shndëruar në energji”.

Katalizatorët janë molekula që nuk ndryshojnë e që bëjnë të mundur përshpejtimin e reaksioneve kimike të kryera në laboratorë, ose në reaktorë të mëdhenj industrialë. Përpara këtij zbulimi novator, në procese të kësaj natyre përdoreshin vetëm disa lloje metalesh dhe enzimash komplekse.

Akademia tha se gjenerata e re e katalizatorëve është më miqësore ndaj mjedisit dhe më e lirë për t’u prodhuar. Ato shihen si çelësi për prodhimin e substancave të reja farmaceutike, plastike e deri tek parfumet e shijet.

Benjamin List, i institutit gjerman Max-Planck, specializuar në kërkimet kimike mbi katalizatorët dhe David MacMillan, i Universitetit Princeton në Shtetet e Bashkuara, do të ndajnë çmimin në mënyrë të barabarta për zbulimin e arritur në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Çmimet Nobel për arritjet në shkencë, letërsi e paqe, u krijuan dhe u financuan nga shpikësi dhe biznesmeni suedez i dinamitit, Alfred Nobel. Ato jepen që nga viti 1901. Çmimi për ekonominë u dha për herë të parë në vitin 1969.