Ballina Aktualitet Sllovenia pezullon vaksinën Johnson&Johnson

Sllovenia pezullon vaksinën Johnson&Johnson

 

Sllovenia ka pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës së Johnson & Johnson kundër COVID-19, tha ministri i Shëndetësisë, Janez Poklukar, raporton agjencia kombëtare e lajmeve STA.

Masa e pezullimit është vendosur pas vdekjes së një gruaje të re.

Kompania Johnson&Johnson ende nuk e ka komentuar këtë vendim të autoriteteve sllovene, raporton Reuters.

“Pacientja, në të njëjtën kohë kishte mpiksje gjaku dhe gjakderdhje në tru. Kujdesi intensiv ndaj saj nuk rezultoi i suksesshëm”, tha për agjencinë STA, Igor Rigler, një neurolog në qendrën spitalore të Lubjanës.

Ndërsa ministri Poklukar tha se ende nuk është njoftuar në detaje për rastin mirëpo vdekja e pacientes duhet të sqarohet.

“Unë nuk mund të bëj komente, por kushtet janë plotësuar për sqarimin e të gjitha rrethanave të asaj që ndodhi”, tha ai.

Vaksina Johnson & Johnson është një nga disa vaksinat që Sllovenia po përdor në programin e saj të imunizimit kundër COVID-19.

Ky vend, deri më 28 shtator, ka imunizuar plotësisht rreth 47 për qind të popullsisë.

Sllovenia ka rreth 2 milionë banorë.