Ballina Aktualitet Von der Leyen: KE mbështet Ballkanin e Hapur

Von der Leyen: KE mbështet Ballkanin e Hapur

 

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von Der Leyen, gjatë vizitës së saj zyrtare në Tiranë më 28 shtator, tha se KE-ja mbështet çfarëdo iniciative që është brenda Procesit të Berlinit duke vënë theks te iniciativa “Ballkani i Hapur”, e njohur më parë si mini-Shengeni Ballkanik.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ajo tha se “Ballkani i Hapur” duhet të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës dhe që thellon bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit.

“Mendoj që po shohim ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, si edhe tregun e përbashkët rajonal. Mendoj se procesi i Berlinit po e shtyn procesin e integrimit para, si kuadër në të cilin 6 vendet e rajonit do të përfitojnë. Çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh”, tha Von Der Leyen.

Ndërkohë, kryeministri Rama tha se shtetet që ende nuk kanë pranuar të bëhen pjesë pjesë e kësaj iniciative, do t’i bashkohen herët a vonë.

“Ballkani i Hapur është vendosur dhe të bëhet dhe çdo vit e më shumë do të provohet që është gjëja e duhur. Ballkani i Hapur do të jetë patjetër hapësira ku do të vijnë (Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina), njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë. Dhe kush vjen më vonë thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo”, tha Rama duke shtuar se kjo iniciativë është një interes strategjik.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tre liderët kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai shqitar, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të forumit, nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Zonja Von Der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë foli edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke thënë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë që jenë në BE dhe për këtë nuk ka asnjë pikë dyshimi.

“Unë jap mbështetjen time të plotë për të ecur përpara për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

“Që të fillojnë bisedimet për anëtarësim, ne e kemi biseduar që në të shkuarën dhe po vazhdojmë të punojmë fort për këtë gjë dhe dua shumë që ky proces të ecë përpara që të fillojmë përpara fundit të vitit”, u shpreh Von der Leyen.

Në anën tjetër, Rama tha se procesi i anëtarësimit nuk varet më nga Shqipëria.

“Nuk vë bast më për asnjë datë apo afat. Jemi përgatitur shumë herë për dasmë dhe krushqit nuk janë paraqitur. Është e qartë. Ne kemi në dorë të bëjmë punën tonë dhe jo se na e imponon Brukseli, por se na e imponon e ardhmja e fëmijëve. Hapen nuk hapen, kjo është një çështje e BE dhe nuk është as e Komisioni, por e Këshillit, madje as e këtyre po e një anëtari të BE që gdhihet me nerva me fqinjin”, tha kreu i qeverisë.

Ursula Von der Leyen komentoi edhe tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, ku nënvizoi se “është thelbësore që të ulet tensioni dhe të rifillojë dialogu”.

“Edhe BE pas luftës u rindërtua fillimisht në dimensionin ekonomik, hap ky që solli me vonë edhe pajtimin”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian vizitoi një kopsht për fëmijë të ndërtuar me fonde nga KE, në Qerek të Krujës.