Ballina Aktualitet Vaksinimi i detyrueshëm për nxënësit mbi 12 vjeç në Los Anxhelos

Vaksinimi i detyrueshëm për nxënësit mbi 12 vjeç në Los Anxhelos

 

Drejtoria arsimore e qyteti Los Anxhelos do të kërkojë që të gjithë nxënësit mbi moshën 12 vjeç të vaksinohen plotësisht deri në janar, nëse duan të ndjekin shkollën, duke u bërë kështu distrikti më i madh shkollor në Shtetet e Bashkuara që vendos një rregull të tillë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Angelina Bagdasaryan, bisedoi me ekspertët dhe banorët për këtë udhëzim të ri.

Nxënëset Zayna dhe Sara e mirëpritën me kënaqësi lajmin se qyteti i Los Anxhelosit do të kërkojë që të gjithë nxënësit mbi moshën 12 vjeç të vaksinohen plotësisht deri në janar, nëse duan të ndjekin shkollën.

“Do t’i mbrojë të gjithë nga COVID-i. Mendoj se duhet të shpëtojmë nga COVID-i sa më shpejt të jetë e mundur. Unë jam e vaksinuar, të gjithë në familjen time janë të vaksinuar!”, thotë Zayna.

“Mendoj se është më mirë për shëndetin e njerëzve!”, thotë Sara.

Duke filluar nga janari 2022, nxënësit e shkollave publike në Los Anxhelos do të jenë në gjendje të ndjekin shkollën vetëm nëse vërtetojnë se janë të vaksinuar. Kjo e bën atë distriktin më të madh shkollor në vend që jep një udhëzim të tillë.

“Ky është një vendim i vështirë në shumë fronte. Është e lehtë të presim që dikush të na thotë çfarë të bëjmë. Los Anxhelosi po udhëheq, sepse kështu duhet. Komunitetet tona nuk mund të presin”, thotë Monica Garcia, nga drejtoria arsimore e qytetit Los Anxhelos.

Udhëzimi vlen për 225 mijë nxënës nga klasa e gjashtë deri tek klasa e 12-të e shkollës së mesme. Autoritetet lokale raportojnë se shumë fëmijë mbi 12 vjeç tashmë janë vaksinuar, por rreth 80 mijë fëmijë mbeten të pavaksinuar. Një pjesë e madhe e prindërve mbështesin udhëzimin e ri.

“Mendoj se është mirë për ta (fëmijët), sepse ke më shumë siguri i vaksinuar se sa i pavaksinuar”, thotë Carmen, banore e Los Anxhelosit.

Të tjerët, megjithatë, i kundërshtojnë me forcë rregullat e reja.

“Nuk e mbështes. Nuk mendoj se ka ende studime të mjaftueshme për të kuptuar vërtet se cilat janë efektet. Unë nuk jam në asnjë mënyrë kundra vaksinave, por mendoj se kemi nevojë për pak më shumë hulumtime”, thotë Lamar, banor i Los Anxhelosit.

Ata që kundërshtojnë vaksinimet e detyrueshme për nxënësit e shkollave po luftojnë gjithashtu kundër rregullit për maskat që është aktualisht në fuqi në Kaliforni. Si nxënësit ashtu edhe stafi i shkollës duhet të mbajnë maska në shkollë dhe të bëjnë një test për COVID-in çdo javë.

Profesori i sëmundjeve infektive Timothy Brewer beson megjithatë se së shpejti vaksinimi do të jetë i detyrueshëm jo vetëm për fëmijët mbi 12 vjeç, por edhe për fëmijët më të vegjël, pasi të miratohet nga shkencëtarët.

“Aktualisht po bëhen studime për sigurinë e vaksinave për fëmijët nën 12 vjeç. Mendoj se pasi t’i kemi këto të dhëna, atëherë do të shohim udhëzime edhe për fëmijët më të vegjël”, thotë Timothy Brewer, profesor i sëmundjeve infektive.

Zoti Brewer beson se edhe drejtori të tjera arsimore në të gjithë vendin do të ndjekin së shpejti shembullin e qytetit Los Anxhelos dhe do t’i bëjnë të detyrueshme vaksinimet për nxënësit e shkollave.