Ballina Bota Talibanët paralajmërojnë berberët që të mos shkurtojnë mjekra

Talibanët paralajmërojnë berberët që të mos shkurtojnë mjekra

 

Talibanët ua kanë ndaluar berberëve në Provincën Helmand të Afganistanit, që t’ua rruajnë burrave kokën, apo t’ua shkurtojnë mjekrën, duke thënë se diçka e tillë është kundër interpretimit të tyre të ligjit islamik.

Secili person që shkel vendimin do të ndëshkohet, ka thënë policia fetare e talibanëve.

Disa berberë në kryeqytetin afgan, Kabul, kanë thënë se kanë marrë urdhra të ngjashëm.

“Askush nuk ka të drejtë të ankohet”, është thënë në njoftimin që është parë nga transmetuesi britanik, BBC.

Këto udhëzime sugjerojnë kthim të rregullave të ashpra të kohës sa kanë qenë talibanët në pushtet, pavarësisht premtimeve për qeverisje më të butë.

Prej marrjes së pushtetit muajin e kaluar, talibanët kanë kryer ndëshkime të ashpra kundër kundërshtarëve.

Të shtunën, luftëtarët e grupit kanë qëlluar për vdekje katër kidnapues të dyshuar dhe trupat e tyre janë varur në rrugët e Provincës Herat.

Gjatë kohës sa talibanët kanë qenë në pushtet, nga viti 1996 deri më 2001, islamistët e linjës së ashpër kanë ndaluar stilet e flokëve të burrat dhe kanë insistuar që burrat të rrisin mjekrat.

Mirëpo që atëherë, burrat janë parë pa mjekra dhe me stile të ndryshme të flokëve, derisa talibanët nuk janë kthyer në pushtet në gusht të këtij viti.