Ballina Rajoni NATO: Prishtina dhe Beogradi të ushtrojnë përmbajtje

NATO: Prishtina dhe Beogradi të ushtrojnë përmbajtje

 

NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.

Deklarata u bë nga zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e pesë ditë, pasi serbët lokalë kundërshtojnë vendimin e autoriteteve të Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës veturat me targa serbe obligohen të vendosin targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vjet.

Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Të enjten në mbrëmje ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, duke thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të dyja shtetet duhet të heqin përdorimin e targave të përkohshme.

Beogradi akuzon autoritetet në Prishtinë për shkelje të marrëveshjeve të Brukselit.