Ballina Bota Nju Jork, restorantet nuk lejojnë të pavaksinuarit; ndër ta edhe presidenti i...

Nju Jork, restorantet nuk lejojnë të pavaksinuarit; ndër ta edhe presidenti i Brazilit

 

Krerët e pavaksinuar të shteteve që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë mund t’u duhet të ushqehen me një pica në trotuar, në vend që të hanë ushqimet e shkëlqyera të restoranteve të Nju Jorkut.

Kështu është ushqyer Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro natën e tij të parë në Nju Jork, ku askush nuk lejohet të hyjë në restorantet e qytetit pa dëshmi të vaksinimit kundër COVID-19.

Populisti i ekstremit të djathtë është një skeptik i vaksinave, i cili është mburrur se nuk është vaksinuar, duke thënë para se të nisej për në Nju Jork se sistemi i tij imunitar është mjaft i fortë për të shmangur koronavirusin.

Dy ministra të kabinetit në delegacionin e tij postuan një fotografi të zotit Bolsonaro dhe ndihmësave të tij duke ngrënë pica në një trotuar të Nju Jorkut të dielën në mbrëmje.

Presidenti Bolsonaro (i treti nga e majta) (Foto INSTAGRAM/@GILSONMACHADONETO via REUTERS )

Mbështetësit e zotit Bolsonaro vlerësuan “thjeshtësinë” e rastësishme të udhëheqësit të tyre, i kënaqur me një picë në një rrugë pranë hotelit në Manhattan ku ai po qëndron.

Kur kryeministri britanik Boris Johnson e pyeti në një takim të hënën nëse ishte vaksinuar, Bolsonaro u përgjigj: “Jo, ende jo”.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio u bëri thirrje udhëheqësve botërorë, “përfshirë Bolsonaros nga Brazili”, që të vaksinohen para se të marrin pjesë në mbledhjen e Kombeve të Bashkuara në qytet.

“Nëse nuk doni të vaksinoheni, mos u mundoni të vini”, tha zoti de Blasio në një konferencë shtypi.

Javën e kaluar, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Abdulla Shahid njoftoi 193 shtetet anëtare se një sistem nderi i vaksinimit për COVID-19ën në OKB do të mbetet në fuqi për presidentët, kryeministrat dhe diplomatët. Ata nuk janë të detyruar të tregojnë prova të imunizimit.

Disa udhëheqës po qëndrojnë larg dhe po dërgojnë një deklaratë me video për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Misioni i Brazilit në Kombet e Bashkuara nuk pranoi të komentojë mbi njoftimet se një diplomat brazilian kishte rezultuar pozitiv në Nju Jork.

Zëdhënësi i OKB -së Stephane Dujarric tha: “Ne jemi në dijeni të njoftimeve dhe jemi në kontakt me misionin brazilian”.

Zoti Bolsonaro do të jetë kreu i parë i shtetit që do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën në mëngjes.