Autoritetet në Kosovë vendosën që nga sot makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë.
Fillimi i zbatimit të këtij vendimi është masë e ndërsjellë meqë njësoj veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi.
Fillimi i zbatimit të kësaj mase nxiti zemërim në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Grupe qytetarësh bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha në një postim në rrjetet sociale se “veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve”.
Ai tha se situata është e qetë dhe se policia e Kosovës i “ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”.
Nga sot shoferët e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas saj banorët e Kosovës duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës lëshoheshin nga ministria e Brendshme e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në parlament të hënën se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo tabelash përveç atyre me shenjën RKS. Sipas marrëveshjes, deri më 15 shtator lejohej hyrja në Serbi e makinave me targat që mbanin shenjën KS.
“Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës ju siguroj që veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serb, ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve serb apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse, dje, sot por edhe nesër qytetarët serb do të lëvizin lirshëm të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga unë si kryeministër i saj”, tha ai duke shpalosur targat e përkohshme që hyjnë në përdorim në Kosovë, dhe targat që autoritetet serbe përdorin për makinat nga Kosova tash e dhjetë vjet me radhë.
“Pra, këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata që vijnë me tabela tjera ndërkaq ka dhjetë vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabela që janë poshtë. Ne nuk i duam as këto as ato, mirëpo derisa të ketë këso (tabela të përkohshme të Serbisë) do të ketë edhe këso (tabela të përkohshme të Kosovës)”, tha kryeministri Kurti.
Vuçiç: Shpresoj të mos detyrohemi të marrim masa ekonomike dhe politike
Zyrtarët serbë reaguan ndaj veprimeve të sotme të autoriteteve të Kosovës, duke i cilësuar ato si provokim, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka caktuar për të martën mbledhjen urgjente të Këshillit kombëtar të Sigurisë.
Presidenti i Serbisë, tha të hënën se situata e sotme në Kosovë paraqet “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”, ndërsa paralajmëroi se Beogradi do të shqyrtojë kundërmasa ekonomike dhe politike.
“Shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masat tona, si ekonomike ashtu edhe politike, sepse kjo nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin, veçanërisht për marrëdhëniet tona me Prishtinën”, tha ai, duke u bërë thirrje serbëve në Kosovë që siç tha. “të mos bien pre e provokimeve”.
Në një konferencë më gazetarë ai tha “që nëse rrezikon serbët, do të kërkojmë nga KFOR-i të mbrojë jetën dhe pronën e tyre në Kosovë”, ndërsa nënvizoi se “nuk do të lejojmë përndjekjen e banorëve serb”.
Ai tha se Serbia duhet të jetë gjithmonë e gatshme për bisedime por aktualisht “nuk shihet se ato kanë kuptim”, ndërsa akuzoi Prishtinën për mospërmbushje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, posaçërisht të asaj për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
BE dhe SHBA kërkojnë uljen e menjëhershme të tensioneve
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se zyrtarët në Bruksel po e ndjekin situatën.
“U bëjmë thirrje të dyja palëve që përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë pa ndonjë vonesë. Ne gjithashtu i nxisim të dyja palët që të përdorin bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe t’i përdorin ato si platformë për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund të kenë midis tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe vendimin për targat”, tha ai.
Në orët e pasdites ambasada amerikane në Prishtinë shkroi në rrjetet sociale se u bashkohet thirrjeve të Bashkimit Evropian që Kosova dhe Serbia “të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të ulin tensionit menjëherë dhe pa vonesë”.
I dërguari i Posacëm i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, qëndroi sot në Beograd në kuadër të vizitës së tij në rajon në përpjekje për të siguruar një takim të radhës në nivelin më të lartë politikë ndërmjet palëve.
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur më 19 korrik, por pa ndonjë përparim.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.