Ballina Art Chamois, i vetmi fshat italian që nuk mund të arrihet me makinë

Chamois, i vetmi fshat italian që nuk mund të arrihet me makinë

 

Fshati i izoluar malor Chamois është dëshmi se është e mundur të shkosh në një botë tjetër, në vetëm pesë minuta.

Fshati italian në shpatet e thepisura të Luginës Aosta, në veriperëndim të Italisë, është qyteti i vetëm i vendit që nuk mund të arrihet me makinë. Grupi i shtatë fshatrave që përbëjnë Chamois është i lidhur përmes shtigjeve dhe rrugëve që shkelen vetëm nga këmbët, biçikletat dhe traktorët e rastit.

Deri në vitet 1960, makinat nuk kalonin as në afërsi të fshatit. Në 1,815m lartësi, Chamois ishte larg autostradave dhe trafikut. Por me zhvillimin e infrastrukturës së transportit në Itali gjatë lulëzimit ekonomik të vendit në fillim të viteve 1960, fshatarët e këtij fshati pyetën veten nëse duhej të përqafonin epokën e automobilave.
Dhe nuk e bënë këtë gjë.

Në vitin 1965, 95% e banorëve të qytetit votuan kundër një rruge që do të lidhte fshatin me luginën poshtë. Por kjo nuk do të thotë se dëshironin të qëndronin të izoluar, Në fakt, banorët kërkuan ndërtimin e një teleferiku për të zëvendësuar shtigjet e kodrave si një rrugë transporti. Teleferiku i parë ishte i vogël, por i lejoi njerëzit të lëviznin shpejt lart e poshtë malit. Në vitin 2001, u ndërtua një teleferik më modern që mund të transportonte më shumë pasagjerë.

Megjithatë, fshati Chamois vazhdon të tkurret. Popullsia, që dikur ishte rreth 350 banorë, tani është rreth 100 banorë. Megjithatë, banorët e fshatit vazhdojnë të këmbëngulin për të eksperimentuar me projekte të qëndrueshmërisë, si sistemet e energjisë së rinovueshme.

Në të vërtetë, Chamois është një nga 19 fshatrat e konsideruara “Perlat Alpine” që gjenden përgjatë alpeve të Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Sllovenisë dhe Zvicrës. Ky grup qytetesh turistike të njohura dhe fshatrave më pak të njohura, është angazhuar për qëndrueshmërinë mjedisore, duke përfshirë opsionet e transportit ekologjik.
Dhe megjithëse është i izoluar, Chamois ende tërheq vizitorë. Në verë, çiklistët dhe shëtitësit eksplorojnë zonën me një ritëm të qetë; në dimër, skiatorët rrëshqasin në shpatet e paeksploruara malore.

Ato pak minuta udhëtim që ndajnë Chamois nga lugina e mëposhtme, janë të mjaftueshme për ta mbrojtur atë nga shpejtësia e jetës moderne. Në qytetin e Italisë pa makina, jeta ecën me një ritëm njerëzor dhe pamjet Alpine shtrihen për kilometra të tërë. / BBC