Ballina Aktualitet BE njeh Certifikatën e Vaksinimit të Shqipërisë

BE njeh Certifikatën e Vaksinimit të Shqipërisë

 

Nga sot Bashkimi Europian njeh Certifikatat e Vaksinimit kundër COVID-19 të lëshuara nga Shqipëria. Vendimi ndikon drejtpërdrejt në heqjen e pengesave të shqiptarëve për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së pa patur nevojën e një testi anti-COVID.

Tashmë, Komisioni Europian i konsideron pasaportat e vaksinimit në këto vende me vlerë të njëjtë me Green Passport të lëshuar nga autoritetet europiane.

Gjithashtu, Brukseli zyrtar do të njohë certifikatat e autoriteteve shëndetësore në Andorra, Ishujt Faroe, Izrael, Monako, Marok e Panama.

Të shtatë vendet dhe territoret do të lidhen me sistemin e BE-së e certifikatat COVID që lëshojnë do të pranohen në Union nën të njëjtat kushte si ato dixhitale të Bllokut për COVID.

Komisioneri Europian për Drejtësinë, Didier Reynders, tha se gjatë kësaj vere, qytetarët ishin në gjendje të udhëtonin të sigurtë falë Certifikatës Dixhitale COVID.  Deri tani, 27 vende anëtare të BE-së janë pjesë e Green Passporte po ashtu edhe 15 shtete jo anëtare të Unionit.

Pasaporta e vaksinimit është e vlefshme për të gjitha vaksinat e njohura nga Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA. Në Shqipëri, miratimin e EMA-s e kanë vaksinat anti-COVID, AstraZeneca e Pfizer&BioNTech.