Ministri francez i Shëndetësisë tha se gratë e reja kanë të drejtën e kontracepsionit edhe nëse nuk mund ta përballojnë atë. Më parë, kontrolli i lindjes ishte falas vetëm për vajzat e moshës 18 vjeç e poshtë.
Ministri francez i Shëndetësisë Olivier Veran njoftoi gjatë një interviste një ditë më parë se së shpejti, të gjitha gratë e moshës 25 e poshtë do të mund të marrin falas pilulën e kontrollit të lindjes dhe mjete të tjera kontraceptive.
“Është e papranueshme që gratë të mos kenë mundësi të mbrohen e të përdorin mjetet kontraceptive vetëm sepse kjo kushton,” tha Veran për televizionin “France 2”.
Kjo lëvizje vjen në momentin kur presidenti Emmanuel Macron po përpiqet të korrë fitoret e brendshme përpara zgjedhjeve kombëtare të vitit të ardhshëm.
Kontraceptivët falas lidhen me rënien e aborteve
Më parë kontracepsioni ishte plotësisht falas për vajzat deri në 18 vjeç, pavarësisht nga sigurimi shëndetësor. Që nga hyrja në fuqi e kësaj mase në vitin 2013, gazeta “Le Monde” raporton se shkalla e aborteve në mesin e vajzave adoleshente ra ndjeshëm.
Veran tha se me ligjin e ri u përcaktua mosha 25 vjeç, pasi është kufiri kohor në të cilin vajzat nuk mund të mbulohen më nga sigurimi shëndetësor i prindërve të tyre dhe se duhet të ketë më shumë “pavarësi” në drejtim të zhvillimit “social dhe financiar”. Ai shtoi se të dhënat treguan një rënie të përdorimit të pilulës së kontrollit të lindjes në momentin kur ajo nuk ishte më falas.
Ministri i Shëndetësisë tha se plani do të kushtojë 21 milionë euro (24.8 milionë dollarë) në vit, por nuk tha se sa do të kursejë qeveria dhe individët duke shmangur shtatzënitë e padëshiruara.
Ligji i ri do të hyjë në fuqi më datën 1 janar, deklaroi Veran në “France 2”.