Ballina ED/OP Zhdukja e shtresës së mesme! – Nga Jorida TABAKU deputete – nënkryetare...

Zhdukja e shtresës së mesme! – Nga Jorida TABAKU deputete – nënkryetare e PD

 

Pak ditë më parë në media u publikuan të dhënat në lidhje me rritjen e pagave dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Të dhënat që kishin si burim INSTAT dëshmonin atë që opozita ka proklamuar prej kohësh, zhdukjen e shtresës së mesme dhe rritjen e numrit të të varfërve në vend. Kjo ekonomi e pabarabartë dhe që nuk prodhon rritje ekonomike të shqiptarëve mund të prodhojë vetëm një polarizim të tejskajshëm.
Arsyet që kanë çuar në këtë situatë janë pashmangshmërisht të lidhura me politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë Rama. Vendosja e politikave fiskale si taksa progresive deri me 23% dhe që ka shkatërruar sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale si dhe vendosja e taksave abuzive në kundërshti me çdo logjikë fiskale kanë ndikuar negativisht. Për rrjedhojë shtresa e mesme taksohet më shumë se sa pjesa tjetër e popullsisë dhe kjo prodhon pamundësinë për t’u ngjitur në shkallën e mirëqënies.
Mirëpo e keqja duket se do të rritet, pa dashur të jem pesimiste. Vendi po përballet me një inflacion të importuar nga kriza e pandemisë, qeveria nuk ka një plan të qartë dhe të koordinuar se çfarë do të ndodhë me post-krizën. Këtyre duhet t’i shtojmë edhe situatën me borxhin publik që duket se ka prekur 100% të PBB-së, kontratat me PPP janë gjithashtu një barrë për buxhetin. Pra, buxheti nuk ka më para për t’ia hedhur ekonomisë, qytetarët shihen si një lopë për t’u mjelë.
Zgjidhja në këto kushte është ndryshimi total i logjikës së politikës fiskale dhe mënyrës se si i qasemi qytetarëve. Ky i fundit duhet të jetë në piedestal të sistemit tatimor. Biznesi duhet të jetë në fokus të sistemit tatimor.
Jam e sigurtë që kjo nuk vjen dot nga kjo qeveri, sikundër e sigurtë që forcimi i shtresës së mesme, profesionisteve, dhe vleresimi i punës nuk vjen dot nga keto njerëz që drejtojnë në humnerë vendin prej 8 vitesh!