Ballina Ravijëzime Sa ndotëse është jeta jonë dixhitale?

Sa ndotëse është jeta jonë dixhitale?

 

Vlerësohet se vetëm Teknologjia e Informacionit në botën e sipërmarrjeve në 2025 do të ketë një gjurmë karboni të barabartë me 463 milionë automjete në vit

Nëse para se të lexonit këtë artikull keni dërguar të paktën një email me diçka bashkëngjitur, keni emetuar 50 gramë CO2 në atmosferë. Nëse kaloni kohën vazhdimisht në Facebook, kontribuoni me 299 gramë në vit. Dhe nëse doni të verifikoni në web këto informacione, çdo kërkim në internet peshon 0.2 gramë. Nuk duhet të trembemi, por të bëhemi më të vetëdijshëm se jeta jonë dixhitale – si ajo analoge – lë një gjurmë ekologjike të konsiderueshme, pavarësisht faktit se dematerializimi shkakton iluzionin se sjelljet tona nuk kanë pasoja.

Teknologjia e Informacionit vlen 4% të emetimeve

Teknologjia e Informacionit gjeneron 4% të emetimeve të CO2 në nivel global dhe parashikohet që kjo shifër të rritet me tre herë brenda vitit 2025, krahasuar me nivelet e 2010-s, sipas vlerësimeve të përpunuara në një raport të fundit të kompanisë për shërbime informatike dhe konsulencash, Capgemini.

Ndër të tjera vlerësohet se vetëm Teknologjia e Informacionit në botën e sipërmarrjeve në 2025 do të ketë një gjurmë karboni të barabartë me 463 milionë automjete në vit. Sigurisht, situata është përkeqësuar me shpërthimin e teknologjisë dixhitale gjatë pandemisë. Por duke ndryshuar zakonet dhe qasjet mund të bëhet më shumë.

Pesha e qendrave të të dhënave

Një nga çështjet më të vështira lidhet me qendrat e të dhënave, ku ruhen dhe përpunohen të dhënat – konsumojnë nga 10 deri në 50 herë më shumë energji për metër katror, krahasuar me një zyrë tradicionale. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë, qendrat e të dhënave janë përgjegjëse për rreth 1% të kërkesës botërore për energji.

Kjo shifër mund të rritet me rritjen e ekonomisë dixhitale dhe numrin e përdoruesve të lidhur. Lajmi i mirë është se pjesa më e madhe e operatorëve të cloud po bëjnë investime të mëdha për të përmirësuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë me burimet e rinovueshme.

Microsoft, për shembull, ka njoftuar një plan për të kaluar në energji të rinovueshme 100% qendrat e tij të të dhënave brenda vitit 2025. Amazon ka investuar së fundi 6.5 gigawat në energjinë e erës dhe të diellit. Google planifikon që në vitin 2030 të mos përdorë më energji nga burime me lëndë djegëse, që përdoret gjithsesi në pjesën më të madhe të qendrave të të dhënave.

Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me energjinë e nevojshme për funksionimin e sistemeve të ftohjes. Kompania e telekomunikacionit Verizon përdori maching learning për të menaxhuar ftohjen, duke kursyer 55 milionë kilovat orë energji në vit përmes 24 qendrave të saj të të dhënave.

Asgjësimi i pajisjeve, si të bëhet?

Një tjetër çështje lidhet me ndikimin mjedisor që rrjedh nga prodhimi dhe asgjësimi i pajisjeve elektronike. Nxjerrja e metaleve – ndër të tjera një burim i fundmë, të cilat përdoren për smartphone – lidhet me shkatërrimin e mjedisit dhe shfrytëzimin e punës së paligjshme dhe të minorenëve.

Një strategji është rritja e jetëgjatësisë së pajisjeve. Fairphone, për shembull, ofron telefona me elemente modulare që mund të rregullohen lehtësisht. Teracube, nga ana tjetër, me një shtresë plotësisht të biodegradueshme, ofron garanci 4-vjeçare, krahasuar me 18 muajt tradicionalë. Një tjetër problem lidhet me asgjësimin e substancave toksike të pajisjeve që kërcënojnë mjedisin dhe shëndetin.

Ndër të tjera, vëllimi i përvitshëm i e-waste vlerësohet të rritet në 74 milionë tonë në 2030 (sipas Global E-waste Monitor 2020). Aktualisht riciklohet vetëm 17.4% e mbeturinave elektronike, ndërsa vlerësohet se vlera totale e metaleve që përmbajnë është rreth 57 miliardë dollarë (nga të cilat vetëm 10 mld rikuperohen nëpërmjet riciklimit).

Çfarë mund të bëjnë kompanitë

Kompanitë mund të optimizojnë përdorimin e energjisë, duke zbatuar mekanizma më efikasë për transferimin e të dhënave, thekson Capgemini. Për shembull, kalimi në edge computing mund të zvogëlojë përdorimin e energjisë duke procesuar të dhënat më afër burimit. Kjo zvogëlon nevojën e të dhënave që të transmetohen në një qendër të dhënash që ndoshta ndodhet qindra kilometra në distancë. Capgemini vlerëson se kalimi në sisteme cloud të gjelbra ka sjellë si avantazh reduktimin me rreth 19% të kostove nga kompanitë.

Kolosët e teknologjisë, nga Apple tek Amazon ndërkohë nuk kursehen. Disa javë më parë, Samsung njoftoi se duke filluar nga viti 2025 do të përfshijë materiale të ricikluara në pajisjet e reja, do të eliminojë plastikën nga paketimi dhe do të synojë reduktimin poshtë 0,005 W për rikarikuesit. Në përgjithësi, rruga duket e gjatë dhe me vështirësi.

Në Shtetet e Bashkuara, Greenpeace ka akuzuar kompanitë e mëdha teknologjike se jo vetëm po ecin ngadalë, por duke qenë edhe disi në kundërshtim, duke akuzuar disa shoqëri se po u mundësojnë Inteligjencë Artificiale kompanive të naftës për të përmirësuar nxjerrjen në terren.

Çfarë mund të bëjmë ne si përdorues

Duke mos pritur hapat që do të marrin big tech, secili prej nesh mund të bëjë pjesën e tij për të zvogëluar gjurmën ekologjike dixhitale. Ju mund të bëni online një sërë sjelljesh të virtytshme (udhëzime nga Agjencia franceze për Tranzicionin Ekologjik) si:

1) Pastroni mailing list dhe eliminoni materialet bashkëngjitur nga një email të cilit po i përgjigjeni.
2) Përmirësoni dimensionet e file-ve që dërgoni – file të kompresuar, imazhe dhe materiale PDF me rezolucion të ulët 3) Ruani vetëm atë çfarë është e nevojshme në cloud
4) Merrni në konsideratë përdorimin e siteve për ruajtje të përkohshme në vend që të dërgoni si materiale bashkëngjitur, kur janë të përfshirë shumë persona në email
5) Fikeni videokamerën gjatë një telefonate nëse nuk është me të vërtetë e nevojshme.

/ Il Sole 24 Ore