Ballina Shëndet “Covid-i i gjatë”- Sfida më e madhe për mjekësinë

“Covid-i i gjatë”- Sfida më e madhe për mjekësinë

 

Sipas një raporti të ri të botuar në një nga revistat më të rëndësishme në fushën e mjekësisë, simptomat që zgjasin edhe pasi një person e ka kaluar COVID-19-n, kuptohen pak nga mjekësia.

Në revistën “The Lancet” thuhej se të kuptuarit e këtyre simptomave përbën “një sfidë për mjekësinë moderne me rëndësi parësore”, për një përgjigje të përshtatshme ndaj kësaj çështjeje.

Sipas revistës shërimi nga i ashtuquajturi “COVID-i i gjatë” mund të zgjasë më shumë se një vit.

Simptomat që zgjasin në kohë përfshijnë “lodhje të vazhdueshme, gulçim, mjegullim të trurit dhe depresion”.

Sipas revistës gjetja e përgjigjeve rreth misterit që paraqet “COVID-i i gjatë” do të kërkojë përdorimin e plotë të njohurive shkencore e mjekësore krahas ofrimit të një trajtimi me dhembsuri e shumëdisiplinësh ndaj atyre që janë prekur nga sëmundja.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara me qindra mijëra njerëz, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë qiranë e shtëpisë gjatë pandemisë, përballen me mundësinë e dëbimit pas një vendimi të Gjykatës së lartë për të mos e zgjatur një moratorium mbarëkombëtar mbi dëbimet, të vendosur gjatë pandemisë.

Tre nga gjykatësit nuk u pajtuan me këtë vendim. Jen Psaki, sekretarja e shtypit e Presidentit amerikan Joe Biden, tha në një deklaratë se “si rezultat i këtij vendimi, familjet do të përballen me ndikimin e dhimbshëm të dëbimeve dhe komunitetet në të gjithë vendin do të përballen me një rrezik më të madh të ekspozimit ndaj COVID-19”./VOA