Ballina Kulturë Botimet në gjuhën shqipe dhe “prostitucioni kulturor”

Botimet në gjuhën shqipe dhe “prostitucioni kulturor”

 

Në fushën e botimeve ka një hiperproduksion, saqë lexuesi i sotëm e ka të vështirë të orientohet në oqeanin e pafund të botimeve që ofrojnë botuesit. Problemi qëndron se ka shumë botime me vlera të dyshimta, për të mos thënë të pavlera, pa kritere të mirëfillta, qofshin ata libra nga fusha e letërsisë, publicistikës, shkencës etj. Jetojmë në një kohë kur kushdo që ka para mund të botojë një libër, ka vlerë apo jo për lexuesin. Edhe botuesit më të mëdhenj dhe më të njohur shqiptarë botojnë pothuajse çdo gjë vetëm për qëllime përfitimi.

Nga Ismet Kallaba

Panairet e librit nuk janë vetëm vend ku prezantohen dhe shiten librat, por edhe vend ku takohemi me njëri-tjetrin, shkëmbejmë mendimet dhe idetë, flasim për të rejat në fushën e botimeve etj. Këtë vit Panairit të Librit në Tuz i është shtuar një dimension i ri, e që është përurimi i botimeve të fundit të autorëve, qofshin ata nga Malësia apo nga trevat tjera, duke e shndërruar sheshin e Tuzit në një agorë të fjalës së folur dhe asaj të shkruar.
Një ndër veprimtaritë kryesore të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është ajo botuese. “Art Club”-i është botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi. Ne botojmë kryesisht libra të autorëve shqiptarë në Malin e Zi. Gjatë këtij viti (2021) kemi botuar dhjetë tituj të rinj. Ky nuk është numër i madh për shtëpitë e mëdha botuese, por për një komunitet të vogël, siç janë shqiptarët në Malin e Zi, është një numër i konsiderueshëm. Duke qenë se nuk kemi qëllime komerciale, nuk botojmë me logjikën e tregut.
“Gjurmë që (nuk) heshten” është libri i parë që autori Nikollë Berishaj boton me firmën e “Art Club”-it dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë. Pse është me rëndësi? Ashtu si edhe në shumë fusha të tjera, edhe në fushën e kulturës mungon bashkëpunimi ndërmjet trevave shqiptare në Malin e Zi. Më duket sikur jemi getoizuar dhe sikur vetëmjaftohemi brenda mjediseve nga vijmë.
Dua të ndaj me ju disa shqetësime, që besoj se nuk kanë të bëjnë vetëm me neve, por me botën shqiptare dhe botimet në gjuhën shqipe në përgjithësi. Jetojmë në kohën e bollëkut të informacionit, atë që studiuesit e medias e quajnë infoobezitet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë a priori se jemi më të informuar se më përpara.
Edhe në fushën e botimeve ka një hiperproduksion, saqë lexuesi i sotëm e ka të vështirë të orientohet në oqeanin e pafund të botimeve që ofrojnë botuesit. Problemi qëndron se ka shumë botime me vlera të dyshimta, për të mos thënë të pavlera, pa kritere të mirëfillta, qofshin ata libra nga fusha e letërsisë, publicistikës, shkencës etj. Jetojmë në një kohë kur kushdo që ka para mund të botojë një libër, ka vlerë apo jo për lexuesin. Edhe botuesit më të mëdhenj dhe më të njohur shqiptarë botojnë pothuajse çdo gjë vetëm për qëllime përfitimi. Çfarë të them nëse edhe akademitë e shkencave në botën shqiptare e pranojnë, sigurisht jo në mënyrë publike, se një pjesë e botimeve të tyre kanë pak vlerë. Për të qenë vetëkritik, sepse shpeshherë jemi të prirur ta kërkojmë fajin te tjetri, edhe ne si shoqatë kemi botuar libra të tillë.
Jam i vetëdijshëm se ky është një debat i vështirë për t’i dhënë një përgjigje, aq më pak një zgjidhje përfundimtare, sepse kush është ai që i përcakton vlerat?! Kush janë ata që do të vlerësonin në qoftë se një libër ia vlen të botohet apo jo? Aq më tepër kur e dimë se shija (vlerat) është relative.
Para disa kohësh Departamenti i Letërsisë i Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës ka zhvilluar debatin me temë “Botuesit shqiptarë në tranzicion”, ku ndër të tjera, një ndër pyetjet apo shqetësimet e ngritura ishte se si të veprohet në mënyrë që të mos botohet çdo gjë, pra diçka e pavlerë. Jo për të shfajësuar botuesit, por duhet të kemi parasysh se edhe nëse botuesi nuk do të pranonte të botonte diçka që e konsideron të pavlerë, autori do ta botojë vetë. Sigurisht, botuesi mund të ngushëllohet se një botim i tillë nuk është botuar me emrin e tij. Ne si shoqëri që e kemi përjetuar formën më të egër të censurës, duhet të kemi parasysh që çdo përpjekje për të vendosur rregull në fushën e botimeve mund të çojë në një formë të re të censurës.
Përpos këtyre shqetësimeve që, pak a shumë, janë të ngjashme për të gjitha botimet shqipe, në fushën e botimeve në gjuhën shqipe në Malin e Zi vërejmë disa dukuri negative. Njëra prej tyre është ajo që një shok i imi e quan “prostitucion kulturor”. Kuptohet që, në këtë rast, fjala “prostitucion” është përdorur në mënyrë figurative. Siç dihet, termi “prostitucion” përdoret shpesh edhe në fusha të tjera, sidomos në politikë, për të ilustruar dukuritë e ndryshme negative. Për të mos krijuar ndonjë keqkuptim, fjalën e kam për maninë e disa autorëve (mund t’i quani edhe maniakë) për të botuar çdo vit të paktën nga një libër, për botimin (e ribotimin) e librave “të rinj” me shkrime e krijime të botuara më parë, për botimin e librave me qëllim përfitimi financiar (të fondeve), për botimet shabllonike thuase libri është një tiketë që vendoset në shishen e një produkti, për përvetësimin e pronës intelektuale duke i paraqitur botimet kolektive si botime autoriale e shumë dukuri të tjera negative.
Përkundrejt kësaj, kemi atë grup të autorëve seriozë, të cilët zbatojnë devizën apo fjalën e urtë “më mirë hesht nëse (kur) nuk ke diçka për të thënë”. Në këtë kontekst, pasi që jemi në Malësi, do të përmendja autorin Anton Gojçaj, i cili mund të thuhet se ndodhet në periudhën e “agjërimit” si krijues. Në mbrëmjen autoriale me të, në kuadër të edicionit të 28-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, në pyetjen se pse ka disa vjet që nuk ka botuar ndonjë libër të ri, ai ndër të tjera tha: “Unë nuk shkruaj, sepse nuk kam çfarë të them të re…”, “Sa herë që shkruaj diçka, e shoh që të njëjtën gjë e ka thënë dikush tjetër më përpara, më mirë se unë…”. Kjo mënyrë e të logjikuarit dhe të vepruarit është në përputhje me atë që njihet si “horizonti i pritjes së lexuesit”. Pra, lexuesi pret gjithmonë nga autori që libri i ri të jetë më i mirë se librat e kaluar.
E bëra këtë shqyrtim për të treguar se sot mund të dallojmë dy kategori të krijuesve dhe të librave. Në njërin grup bëjnë pjesë ata krijues që turren të botojnë sa më shumë libra, kurse grupin tjetër e përbëjnë ata autorë të cilët nuk vrapojnë pas numrave, por në plan të parë e kanë cilësinë. Nikollë Berishaj bën pjesë te grupi i dytë, pra tek ata krijues që shkruajnë pak, por që janë kërkues ndaj vetvetes. Dëshmi për këtë është edhe libri “Gjurmë që (nuk) heshten”.
Kisha nevojë që të ndaja me ju këto shqetësime për të dhënë mesazhin se ne sot si shqiptarë në Malin e Zi, por edhe në përgjithësi, kemi nevojë para së gjithash për botime cilësore, jo për sasi.

(Fjala në përurimin e librit “Gjurmë që (nuk) heshten” të autorit Nikollë Berishaj, në Panairin e Librit në Tuz, më 1 gusht 2021. Teksti është përshtatur për botim.)

/Koha Javore/