Në këtë vit shkollor
Si kurrë herë më parë,
Erdhi Himni serb
N’dorë me celular!
Vjen dekreti me nxitim
Nga Ministri për arsim…
Me “Zotin e Drejtësisë”
T’niset çdo mësim!
Ndaj, të gjitha shkollat
Nuk qenë në një vijë,
Pse ky Himn shtetëror
T’merret me fëmijë?!
Por, ky farë dekreti
Nuk erdh’ pa qëllim,
Për t’i mat drejtorët
Sa janë me ndikim?
Qoftë me shtypje lart
Apo nga poshtë fare,
Hyn n’shkollë për dere
E del për dritare!
Nga këto presione
Ata janë në hall,
Si n’poezinë e Nolit
-Shën Pjetri m’i mangall!
Nga gjitha pakicat
Sa janë në Serbi,
Po gjenden shqiptarët
Për t’dhënë llogari!
Jo, ata që zgjedhën
Me vota në garë…
E i rrinë gatitu
Himnit si ushtarë!
Me Himne u mësuam:
“Hej Slloveni” e “Bozhe Pravdën”,
E sa Himne tjera
Që ne nuk i patëm?!
Na “rrofshin” shtetarët
Me gjithë ato mend,
Që me nder me thënë
Nuk i hanë as qentë!
Sevdail Hyseni
(Karikatura e përpunuar marrë nga interneti)