Ballina Bota Përplasja Britani-BE mbi rregullat tregtare për Irlandën e Veriut

Përplasja Britani-BE mbi rregullat tregtare për Irlandën e Veriut

Marrë nga Reuters

Përplasja midis Britanisë dhe Bashkimit Evropian mbi rregullat tregtare pas Brexit-it për Irlandën e Veriut rrezikon të krijojë “ngricë mosbesimi” në marrëdhëniet më të gjera midis Londrës dhe Brukselit, tha të shtunën ministri britanik i Brexit-it.

Zoti David Frost tha se qeveria e Kryeministrit Boris Johnson nuk donte të hiqte të ashtuquajturin “Protokoll i Irlandës së Veriut”, por kishte nevojë të shihte “ndryshime thelbësore dhe domethënëse”.

Ndryshimet për të cilat bëhet fjalë, përfshijnë lëvizjen e mallrave në Irlandën e Veriut, standardet për mallrat dhe rregulloret në fuqi.

“Dua të jem i qartë se çdo përgjigje që shmang angazhimin serioz me ato ide dhe synon vetëm zvarritjen e procesit, përfundimisht nuk do të funksionojë për ne”,tha zoti Frost në një fjalim para Shoqatës Britaniko-Irlandeze.

Në muajin mars BE hapi procedura ligjore kundër Britanisë duke e akuzuar se i kishte bërë ndryshime marrëveshjes tregtare të Irlandës së Veriut që, sipas Brukselit, shkelin marrëveshjen e Brexit-it të rënë dakord me Londrën vitin e kaluar. Ekzekutivi i bllokut tha në korrik se po pezullonte veprimet ligjore pasi Londra kërkoi një periudhë pauze.

Protokolli kërkon të mbrojë një marrëveshje paqeje të vitit 1998 duke mbajtur një kufi të hapur midis Irlandës Veriore dhe Irlandës që është anëtare e BE-së, por duke mos lejuar që ky pakt të përdoret si qasje për tregtimin e mallrave të vendeve të Bashkimit Evropian.

Kontrollet e mallrave mes pjesës tjetër të Britanisë dhe Irlandës së Veriut janë bërë problematike për lëvizjen efiçente të mallrave.