Ballina Personazh MËSUESJA MISIONARE QË E SFIDON KANUNIN

MËSUESJA MISIONARE QË E SFIDON KANUNIN

Nga Hysen Grajqevci

– “Mësuese, do më vijsh në dasmën time, nëse deri atëherë do jam gjallë”…!?

Ishte ky një titull në faqen e gazetës “Shekulli”, që sot e asaj dite më bëri kureshtar ta ndjek këtë rrëfim. Dhe, nuk mund të qëndroja i heshtur nga ky titull gazete që tingëllonte kaq dhimbshëm, … nga gojë e njomë e një nxënësi, bërë mësueses së tij!

Kërshëria për të ditur e mësuar më shumë më shtyri të shkoja në Shkodër, e nga Shkodra, në Razmë për ta takuar mësuesen Liliana Luani. Që atëherë kanë kaluar vite, por ne krijuam një afri vëllazërore dhe sa herë që takohemi, unë e pyes Lilin për jetën e veçantë që kjo MËSUESE-MISIONARE bënë, e pyes edhe për nxënësin që ia kishte bërë pyetjen.

– Po, e vërtetë…!

– Tani: Fenomeni i ngujimit tē fëmijëve është: jo vetëm apsurd, po është jasht çdo norme kanunore e njerëzore, po,  megjithë anomalitë kohore që mbartë kanuni, ne tejkalomë edhe përtej tyre. Kanuni nuk ngujon gra e fëmijë! Prandaj edhe e thash FENOMEN!

– Duke ditur për këto anomali, pse nuk vijojnë  mësimin disa nga nxënësit e ardhur nga malësia, rrjedhi iniciativa nga një projkt i kuadrit arsimor Shqiptar, më vonë edhe në bashkëpunim me Kryqin e kuq Spanjoll për të ju  vajtur e gjendur pranë këtyre fëmijëve..

– Këtë nismë brenda ketij projekti e kisha filluar ta jetësoja, kuptohet në kohën e lirë shkoja e shkoj edhe tani brenda familjeve nga vijnë këta fëmijë. Me gjithë vështërsitë kjo nismë brenda vetës bartë edhe rrezikshmerinë për të cilën këtë herë nuk kisha folur. Po, është  gëzimi i këtyre fëmijëve, profesioni prej mesueseje dhe ndjeshmëria lme prej nëne ajo që më shtynte e më shton vullnetin!

– Titulli në intervistën dhënë gazetës “Shekulli” e që bëri jehonën e një si  lloj alarmi tek ata që e lexuan, ndodhi nga pyetja ime si diçka e pa imagjinuar për përgjigjen, apo kërkesa qe dual krejt befesuese! Normal pas perfundimit të mësimit ne mësuesit, pyesim për ndonjë paqartësi nxënësit dhe  ashtu veprova, pyeta:

– Ka kush nga ju nxënës të dashur ta pyes mësuesen për ndonjë gjë që nuk e ka të qartë?

– Dhe çfar të degjoj!?

– Dëgjoj një gjysmë zëri aty pranë meje të më thotë:

– “Mësuese, do më vijsh në dasmën time, nëse deri atëherë do jam gjallë”…!?

– Brenda kësaj pyetjeje lexohej çdo gjë e gjithçka edhe pse unë njihja realitetin e hidhur  megjithatë…se si më erdhi kjo kërkesë fëmije, më erdhi krejt e papritur, ishte si një rrufe nga qielli…?!

– Shtanga!

E ç’t’i thoja unë  mësuesja këtij nxënësi tani, ç’t’i them…!?

Është instikti prej nëne ai që më nxori nga hutimi i pyetjes, dhe i them:

– Ti do të jesh, po…, unë mësuesja jote, nuk e di se a do jem gjallë deri atëherë!?

– Dhe, seç e “pash” “Lulin e vocërr”!

E ndjeva edhe përgjigjen e Migjenit…!

– Këtë pyetje të këtij ish-nxënësi ka vite që e dëgjoj.

– Kjo pyetje ka vite që ende buçet në veshët e mi…! -thotë mësuesja Lilianë.

– Çdo ditë e ndjej, më vjen si makth që më zë frymën, më bllokon trurin e ma shtang trupin.

Por hapat e kësaj Misionareje nuk ndalojnë. Ajo ecën, vazhdon…vazhdon përballjen me kanunin dhe vështirësitë e realitetit të dhimbshëm kohor!

– Është fundviti dhe fundi i vitit sjell për këdo ndjesi, e kjo ndjesi në veçanti shprehet e vërehet te fëmijët, te nxënësit, -vazhdon mësuesja dhe fillon rrëfimin e rrëfimet e saj, përjetimet dhe peripecitë sikur nuk kanë mbarim, janë të shumta, janë aq shumë, sa janë edhe të këqijat tona!

Gjakmarrja…!

Ky “fenomen” shëmtie mbjellur nga pushtuesi si farë e keqe trojeve të mia dhe, gjatë bisedës mësuesja nuk i mban lotët, janë lotë të dhimbjes për këtë dukuri të shëmtuar e negative që si rriqër bashkëjeton me popullin tim ndër shekuj!

Përmes ngashërimit e lotëve, me një kërkim falje mësuesja na drejtohet NEVE:

“MË FALNI”! Ta kuptosh mësuesen duhet ta kuptosh modestinë e saj në shpirt e në të shprehur, sepse, Ajo për çdo ditë prek dhimbjen, skamjen, prek lotin, tragjedinë. Ajo shumë shpesh, për të mos thënë në çdo fundjavë rrugëton drejt zonave të thella të malësisë. Udhëton me furgon deri ku arrin e shkon furgoni, po ajo udhëton edhe më këmbë, e shpeshherë edhe me varkë! Po ajo sikur kursen bashkëbiseduesin dhe shpeshherë hesht, e ti kuptoje lotin deri sa heshtë ajo!!

E si të mbahet loti kur rrëfen për Marien, e cila ishte vrarë ende pa i mbushur 17 vjeç, apo për Marselën e vogël, e cila ende jeton me lopën, e që s’është vetëm një rast…!?

Këta fëmijë janë si fëmijët e gjithë botës, kanë dëshira, kanë nevojë për shoqëri e për të lozur, kanë nevojë për mbështetje. Po këta fëmijë kanë edhe imagjinatën e zhvilluar që të befason e të prekë në shpirt dhe këtu mësuesja për një çast ndalon, lëshon një ofshamë ashtu vetëvetiu sikur për  t’u lehtësuar… dhe vazhdon:

– Ishte kohë kur nuk kishim telefona, e mos të flasim tani për telefonat e mençur. Po kishim edhe ne mundësitë tona për t’u shprehur, kishim kartolinat dhe kartolinat i përdornim për t’i uruar të dashurit tanë në raste të veçanta.

.Çuditërisht ishte po ai nxënësi që më kishte bërë pyetjen për dasmën, tani kishte përzgjedhur të më dërgonte një kartolinë mua, për të më uruar Vitin e Ri!

Gjithë këtë do ta ilustroj me katër vargje, që atëherë PEPA, -kështu e quanin çunin, i cili nuk ishte më shumë se 13 vjeç, kur për Vit të Ri më shkruan mua, mësueses së tij për të më lënë në kujtesë gjithë jetën! Ky urim më së paku më takonte mua them unë, por mundësia e tij ishte që përmes meje të shpreh dhimbjen që kuptohej si revoltë shpirti drejtuar gjithë atyre që kanë mundësinë të bëjnë më shumë. Ai më shkruan:

– “Se Vite të Ri kot këta i quajnë, se nga njëri–tjetri për ne s’po ndryshojnë, po vjen mesnata dritat do t’i shuajmë dhe ne më kot, më kot ëndërrojmë”!

PEPA!

Dhe këto katër vargje të këtij ish-nxënësi janë katër vargje fatkeqësie, edhe të shumë e shumë nxënësve të tjerë që e ëndërrojnë jetën, që ëndërrojnë ta shijojnë bukurinë e jetës!

Liliana Luani është mësuese e shkollës nëntëvjeçare “Pashko Vasa” në Shkodër, është një edukatore brezash, një humaniste, një NËNË, është një DIGË që përballet me kuçedrën GJAKMARRJE!

Dashuria ndaj fëmijëve, UNË do shtoja dhe shpirti i saj human. Vetëdija e lartë intelektuale për ta parë popullin e vet të ecën në shtigje drejt  zhvillimi çfarë e meriton ky popull, bëri që kjo fisnike, bijë e Dukagjinit, si e ka dëshirë ta thotë edhe vetë, të ngrihet si INSTITUCION më vete dhe në heshtje t’i vërë vetes detyrë morale e njerëzore që vullnetarisht të angazhohet në shërbim të popullit, që t’iu gjendet afër këtyre fëmijëve fatkeq, të cilët pa fajin e tyre nuk e kanë mundësinë të jenë në bankat e shkollës si bashkëmoshatarët e tyre!

– Dëshiroj që sadopak me praninë time t’ua ofroj ndjesinë e të qenunit nxënës. Pra, dua që unë të jem pranë tyre e thotë mësuesja.

Peripecitë, përjetimet e rrëfimet e kësaj mësueseje heroinë janë të shumta, janë të shumta po aq sa janë të shumtë edhe FËMIJËT E NGUJUAR nga gjakmarrja, e ata vërtet janë shumë, janë shumë…!?

Duke e njohur aktivitetin e saj, e me shpresë për të ndikuar sadopak në ngritjen e vetëdijes sonë, ne do të vazhdojmë të publikojmë rrëfimet tejet të dhimbshme e trishtuese me MËSUESEN-MISIONARE, LILIANA LUANI.