Ballina Bota Rusia ashpërson masat ndaj shtypit në kuadër të ligjit “agjent i huaj”

Rusia ashpërson masat ndaj shtypit në kuadër të ligjit “agjent i huaj”

 

Që nga 31 gushti, faqja elektronike e Ministrisë së Drejtësisë radhit 43 media dhe gazetarë dhe 76 grupe të shoqërisë civile si “agjentë të huaj”. 46 grupe të tjera janë quajtur “organizata të padëshiruara”.

Lista përfshin media të mëdha dhe gazetarë të shquar rusë që kanë hetuar Presidentin Vladimir Putin dhe aleatët e tij. Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty që financohen nga Kongresi Amerikan janë në mesin e atyre që përmenden si “agjentë të huaj”.

Gazetarët rusë që folën me Zërin e Amerikës e shohin etiketimin si një përpjekje të Kremlinit për të shkatërruar mediat e pavarura dhe për të parandaluar çdo protestë në lidhje me zgjedhjet parlamentare të shtatorit, apo ato presidenciale të 2024.

Emërtimi po prek gjithashtu një grup monitorues të zgjedhjeve dhe kandidatët e partisë opozitare Yabloko, të cilët u urdhëruan të tregojnë lidhjet e tyre me “agjentë të huaj” në materialet e fushatës.

Legjislacioni u paraqit fillimisht në vitin 2012. Ai u ndryshua në përgjigje të një ligji amerikan që u kërkonte organizatave të lajmeve të financuara nga Moska të regjistroheshin sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të vitit 2017.

Qysh atëherë, Rusia e ka përdorur gjerësisht etiketimin për mediat dhe kritikët e pavarur dhe u ka thënë të tjerëve se duhet të tregojnë lidhjet e tyre me agjentët e emëruar si të huaj.

Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Etiketimi i agjentit të huaj është “një mekanizëm tjetër” për të luftuar mendimin ndryshe, i tha Zërit të Amerikës kandidati i partisë Yabloko, Alexei Krapukhin.

Fushata zgjedhore e zotit Krapukhin ka bërë thirrje për t’i dhënë fund shtypjes dhe për të protestuar mbi ndryshimin e mandateve presidenciale që do t’i lejonte Putinit të kandidonte për një mandat të pestë.

Por kur zoti Krapukhin dërgoi një video të fushatës në Moskow Media, e cila mbikëqyr kanalet televizive dhe stacionet e radios, atij iu tha ose të mos përmendte emrin Yabloko ose të tregonte lidhjen e partisë me agjentë të regjistruar.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë tha se për shkak se Yabloko ka dy kandidatë të lidhur me “agjentë të huaj”, partia duhet ta tregojë këtë fakt në të paktën 15% të të gjitha reklamave të fushatës, përfshirë ato në TV dhe në fletëvotime.

Zoti Krapukhin e sfidoi me sukses urdhrin. Por, ai i tha Zërit të Amerikës se “Kremlini po krijon një informacion të filtruar rreth zgjedhjeve të ardhshme.”

“Mediat e pavarura janë lentet me të cilat njerëzit të shikojnë gjendjen. Nëse nuk ka gazetarë të pavarur, nuk kuptohen problemet e vendit,” tha zoti Krapukhin.

Njolla e etiketimit

Kërkesat sipas ligjit për agjentët e huaj janë të vështira dhe mund të çojnë në ndëshkime dhe largimin e mundshëm të bizneseve nga partitë ose kandidatët, thanë disa gazetarë.

Kur Ministria e Drejtësisë e etiketoi kanalin e fundit televiziv të pavarur rus, Dozhd, si një agjent të huaj, në muajin gusht, bordi i kanalit e quajti vendimin “tinëzar”.

Ministria tha në një deklaratë se Dozhd kishte marrë më shumë se 130, 000 euro (153,000 dollarë) nga Komisioni Evropian për mbulimin e marrëdhënieve BE-Rusi dhe se kishte ritransmetuar materiale nga mediat e huaja, përfshirë Zërin e Amerikës.

Në qershor, stacioni nuk u lejuar të ketë qasje në konferencat e shtypit të Kremlinit pasi mbuloi tubimet për udhëheqësin e burgosur të opozitës Alexey Navalny, dhe është një nga kanalet e pakta të mbetura që sigurojnë mbulim të pavarur të protestave.

Tani stacioni duhet të përfshijë ne çdo material në TV, internet ose platformat e tij të mediave sociale, një njoftim se materiali është prodhuar nga një “agjent i huaj”.

“Nga ne kërkohet të etiketojmë gjithçka, madje edhe postimet në Instagram,” tha kryeredaktori i televizionit Dozhd, Tikhon Dzyadko. Por me një numër të madh postimesh, “ekziston gjithmonë mundësia që thjesht të mos e vemë këtë shënim, nëse dikush është i lodhur ose harron”.

Nëse kjo do të ndodhte, thotë zoti Dzyadko, dënimi do të ishte i madh, duke përfshirë deri në dy vjet burg, nëse nuk paguhen gjobat për mosrespektimin e ligjit.

Radio Evropa e Lirë ka ngritur një padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut pasi është gjobitur me miliona dollarë që nga janari sipas këtij ligji.

Një pasojë më serioze, thotë zoti Dzyadko, është se “bizneset mund të mos jenë me ne. Dihet që paratë e mëdha e duan heshtjen. Dhe të përfshihesh në listën e agjentëve të huaj, do të thotë se je armik i shtetit; potencialisht i rrezikshëm”.

Zoti Dzyadko citoi rastin e faqes së pavarur të lajmeve Meduza, e cila humbi reklamat pasi u etiketua si agjent i huaj në fillim të këtij viti.

“Njerëzit nuk do të heshtin”

Që kur një referendum kushtetues vitin e kaluar e lejoi Putinin të kandidonte për një mandat të pestë, 25 gazetarë dhe shtatë media janë etiketuar agjentë të huaj nga Rusia.

Në fillim veprimi u duk i lidhur me zgjedhjet parlamentare, por tani duket se janë në fokus zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, thotë gazetarja e Dozhd, Ekaterina Kotrikadze.

“Qëllimi është të mbysim idetë liberale dhe fjalën e lirë para zgjedhjeve të 2024-ës, pasi Kremlini është i etur për të shmangur përsëritjen e asaj që ndodhi në Bjellorusi”, tha gazetarja Kotrikadze. “Ata po bëjnë gjithçka në mënyrë që të mos ketë protesta dhe tubime të mëdha – në mënyrë që të mos kenë nevojë të përdorin aq shumë forcë sa Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko”.

Por, plani i Kremlinit nuk do të funksionojë thotë gazetarja Kotrikadze.

“Rusia është një vend kaq i madh, dhe ka shumë gazetarë dhe politikanë vërtetë të lirë. Njerëzit nuk do të heshtin.”

Në disa raste, gazetarë të veçantë si dhe redaksitë e tyre janë të listuar si agjentë të huaj.

Kur Rusia etiketoi Vazhnye Istorii – një media e njohur për hetimin e Putinit dhe aleatëve të tij – si agjent të huaj, ajo radhiti gjashtë nga gazetarët e grupit të lajmeve.

Ata tani duhet të regjistrohen si persona juridikë, të paraqesin dokumenta tek autoritetet dhe të shtojnë etiketën ‘agjent të huaj’ në të gjitha postimet e tyre publike në mediat sociale, përfshirë ato personale.

“Unë nuk jam agjent i huaj. Ky ligj është një turp dhe është i paligjshëm,” i tha Zërit të Amerikës Dmitry Velikovsky, një gazetar i Vazhnye Istorii. “Unë nuk jam një media, unë jam një qytetar (rus) që shkruaj artikuj në media dhe shkruaj atë që dua në Facebook”.

Velikovsky beson se ai dhe kolegët e tij u përfshinë në listën hakmarrëse të Kremlinit për raportimet mbi familjen dhe aleatët e Putinit.

“Të gjithë ata që u renditën personalisht ishin gazetarë investigativë që mbuluan skandalin e Panama Papers, ku shfaqet shoku i fëmijërisë i Putinit, Sergei Roldugin”, tha gazetari Velikovsky, duke shtuar se Vazhnye Istorii gjithashtu hetoi transferimin e miliarda dollarëve nga bankat shtetërore ruse dhe biznesmenët në llogaritë e njerëzve pranë Putinit dhe kompanive të mëdha ruse.

Kolegia e tij Irina Dolinina, e cila është gjithashtu në listë, i tha Zërit të Amerikës se etiketimi “të komplikon jetën dhe vë sigurinë personale në rrezik të madh”.

“Në çdo postim, në çdo media sociale dhe madje edhe në biseda publike, më duhet të vendos këtë shënim poshtërues, dhe tani më duhet të hap llogari si person juridik për të raportuar shpenzimet e mia personale tek autoritetet,” tha ajo. “Të gjithë ‘agjentët e huaj’ janë vetëm disa hapa larg të qenurit në burg”.

Mënyra e mbijetesës

Situata në Rusi është përkeqësuar ndjeshëm në krahasim me mjedisin gjatë zgjedhjeve parlamentare pesë vjet më parë, thotë Vasily Vaisenberg, kryeredaktor i agjencisë së lajmeve Zakon.

“Në vitin 2016, pjesë të caktuara të shoqërisë kishin disa shpresa”, tha zoti Vaisenberg. “Tani nuk ka më shpresë”.

Gazetari gjithashtu punon me grupin Golos për monitorimin e zgjedhjeve, i cili në gusht u rendit si një “agjent i huaj i paregjistruar”.

Zoti Vaisenberg tha se ishte e paqartë se çfarë kufizimesh mund të vendosnin autoritetet për vëzhguesit e pavarur.

Disa ditë para se Golos të shtohej në listë, anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Rusisë Igor Borisov kishte propozuar identifikimin e vëzhguesve të lidhur me “organizatat e agjentëve të huaj”.

Zoti Borisov u citua në disa artikuj gazetash që thoshin se vëzhguesit nuk do të ndaloheshin, por do të “etiketoheshin në përputhje me rrethanat”.

Alexei Kurtov, president i Shoqatës Ruse të Konsulentëve Politikë, i tha Zërit të Amerikës se klima aktuale “i detyron të gjitha mediat të jenë më të kujdesshme dhe më të përmbajtura”.

“Shumë media duket se duhet të qëndrojnë në majë të gishtave, duke mos ditur se në cilin drejtim fryn era,” tha zoti Kurtov. Ai shtoi se rusët që duan informacion të pa censuruar “do të duhet të lexojnë midis rreshtave përsëri”.

Por në disa raste, mediat e shtuara në listën e Ministrisë së Drejtësisë janë mbyllur.

Media hulumtuese The Project u mbyll pasi kompania dhe disa punonjës u shtuan në listë në korrik.

Mikhail Rubini, ish zëvendës redaktor për median The Project, i tha Zërit të Amerikës se taktika e mëparshme e vetë-censurimit për disa çështje, të tilla si mbulimi kritik i Putinit, nuk është më e mjaftueshme.

“Një numër i madh i mediave në Rusi kanë zgjedhur këtë taktikë mbijetese. Ata nuk prekin Putinin, nuk kryejnë hetimet e tyre, nuk shkruajnë për Navalnyn, por për çështje të tjera po përpiqen të bëjnë një lloj gazetarie transparente”, tha zoti Rubin.

Mikhail Rubini beson se Rusia së shpejti do të kërkojë “besnikëri absolute demonstrative ” nga të gjitha grupet e mediave.

Autoritetet tashmë kërkojnë besnikëri të plotë, madje edhe nga gazetat që janë të njohura vetëm nga elita, tha zoti Rubin, duke shtuar, “Kjo është thirrje për elitën ruse që ata duhet të tregojnë besnikëri absolute ndaj Kremlinit”.

**** Ky material u përgatit nga shërbimi rus i Zërit të Amerikës. Ksenia Turkova, Rafael Saakov kontribuan në këtë raport.