Ballina Aktualitet OBSH-ja cakton një variant të ri të COVID-19 si ‘variant shqetësues’

OBSH-ja cakton një variant të ri të COVID-19 si ‘variant shqetësues’

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka caktuar një lloj të ri të COVID-19 si një “variant shqetësues”.

Agjencia globale e shëndetit njoftoi në buletinin e saj javor të martën se Mu, i njohur gjithashtu me emërtimin e tij shkencor B.1.621, është zbuluar në Amerikën e Jugut dhe Evropë që kur u identifikua për herë të parë në Kolumbi në janar.

OBSH-ja tha se varianti Mu ka disa karakteristika që e bëjnë atë më rezistent ndaj vaksinave, por tha se duheshin kryer më shumë studime për të kuptuar plotësisht se si funksionon ky variant.

Varianti Mu është i pesti i caktuar nga OBSH-ja si një variant shqetësues. Katër variante të tjera janë përcaktuar si “variante shqetësuese”, përfshirë alfa, i cili është zbuluar në 193 vende, dhe delta më ngjitës, i cili është i pranishëm në 170 vende dhe është shkaktar i rritjes aktuale të infeksioneve të reja në të gjithë botën.

Shkencëtarët në Afrikën e Jugut njoftuan në fillim të kësaj jave se kanë zbuluar një variant të ri COVID-19 me emërtimin C.1.2. Varianti është përhapur në të gjithë Afrikën, Azinë, Evropën dhe rajonin jugor të Paqësorit në Oqeani që kur u pa për herë të parë në Afrikën e Jugut në maj.

Varianti nuk është identifikuar nga OBSH-ja si variant shqetësues.

Drejtoresha e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr Rochelle Walensky, u bëri thirrje të martën amerikanëve që nuk kanë marrë një vaksinë COVID-19 të shmangin udhëtimet gjatë fundjavës së ardhshme kur festohet Dita e Punës për shkak të një rritje të infeksioneve të reja dhe vdekjeve të shkaktuara nga varianti delta. Shtetet e Bashkuara kanë mesatarisht mbi 100,000 raste të reja të COVID-19 në ditë, me shtete si Florida, Misisipi dhe Uashingtoni që raportojnë nivele rekord të rasteve të reja dhe shtrimeve në spital.

Ndërkohë, dy zyrtarë kryesorë në zyrën e Shqyrtimit të Vaksinave të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave do të lënë postet e tyre në javët e ardhshme. Dr Marion Gruber, drejtori i divizionit, do të dalë në pension në tetor, ndërsa zëvendësi i saj, Dr. Philip Krause, do të largohet në nëntor. Largimet e tyre vijnë në një kohë vendimtare për FDA, e cila po i afrohet një vendimi të rëndësishëm, nëse do të rekomandojë vaksinat COVID-19 për fëmijët nën 12 vjeç dhe injeksione përforcuese të vaksinave aktuale të miratuara tashmë për amerikanët e rritur.