Gra turke u mblodhën përpara konsullatës afgane në Stamboll për të treguar solidaritetin e tyre me gratë afgane dhe për të dënuar trajtimin e tyre nga talebanët.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Umut Colak, njofton se në shenjë solidariteti me gratë afgane, protestueset turke vendosën një kurorë lejla përpara godinës së konsullatës me mbishkrimin “Gratë do të jetojnë në një sistem laik”.
Përfaqësueset e disa organizatave të grave që folën në tubim, thanë se beteja e grave afgane është e ngjashme me atë të grave turke.
“Vështirësitë që përjetojnë gratë në mbarë botën, persekutimi i grave dhe personave LGBTQ+, si dhe të popullit të Afganistanit nuk gjenden larg nesh dhe na interesojnë drejtpërdrejt”, tha aktivistja Fidan Ataselim.
Folëset kritikuan Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan që ka shprehur interesin për t’u takuar me talebanët.
“Talebanët janë ndoshta po ata që ishin 20 vjet më parë, por gratë e Afganistanit nuk janë ato të 20 viteve më parë. Gratë tashmë bëjnë thirrje për veprim; po përpiqen të protestojnë”, thotë aktivistja Melek Onder.
Protestueset thonë se rezistenca e grave nuk njeh kufij, dhe se gratë turke mbështesin gratë afgane në luftën e tyre për pavarësi.
“Po i ndjekim prej ditësh zhvillimet në Afganistan. Shohim çfarë po heqin gratë afgane dhe çfarë po i detyrojnë të përjetojnë. Le të thërrasim sot së bashku përpara konsullatës afgane, që ta dëgjojnë gratë në Afganistan se nuk do ta bëjnë këtë rrugëtim të vetme”, thotë Esin Izel Uysal, anëtare e Asamblesë së Grave.
Talebanët kanë thënë se në regjimin e tyre, gratë do të kenë të drejta sipas ligjit islamik të sheriatit dhe se do të mund të punojnë dhe studiojnë brenda këtij kuadri.
Shumë gra megjithatë janë të frikësuara dhe nuk i besojnë këtij grupimi, të shqetësuara se liritë e tyre së shpejti do të kufizohen.