Ballina Bota Merkel: Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Moska dhe Berlini duhet të bisedojnë

Merkel: Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Moska dhe Berlini duhet të bisedojnë

 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se Moska dhe Berlini duhet të zhvillojnë dialog pavarësisht “mosmarrëveshjeve të thella”. Këto deklarata ajo i bëri teksa nisi takimin me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë.

Kjo është vizita e fundit zyrtare e Merkelit në Rusi, pasi ajo do të pensionohet nga politika muajin e ardhshëm.

“Ne kemi shumë çështje që duhet të adresohen në takimet kokë më kokë”, i tha Putini Merkelit, gjatë fillimit të takimit.

“Jam i sigurt se kjo nuk do të jetë vetëm vizitë lamtumirës, pas vendimit tuaj që të mos kandidoni për kancelare, por një vizitë e mbushur me përmbajtje serioze”, shtoi Putin, duke iu referuar zgjedhjeve që do të mbahen muajin e ardhshëm në Gjermani.

Dy liderët kanë thënë se në këtë takim do të bisedojnë për raportet dypalëshe, për pandeminë COVID-19 dhe për çështje ndërkombëtare, siç është situata në Afganistan dhe për bisedimet e paqes për Ukrainën, proces ky që ka ngecur.

Pas vizitës në Rusi, Merkel do të qëndrojë në Ukrainë më 22 gusht, ku do të bisedojë me presidentin, Volodymyr Zelenskiy.

Vizita e Merkelit në Moskë po ndodh në përvjetorin e parë të helmimit të opozitarit rus, Aleksei Navalny. Ai besohet se u helmua me një agjent nervor dhe për helmimin ai e ka akuzuar Kremlinin.

Aktualisht, Navalyn gjendet në burg, pasi u arrestua në janar, pasi u kthye nga Gjermania, ku ishte trajtuar pas helmimit.