Ballina Bota Biden: SHBA nuk do të jetë pjesëmarrëse në luftën civile të Afganistanit

Biden: SHBA nuk do të jetë pjesëmarrëse në luftën civile të Afganistanit

 

Presidenti amerikan Joe Biden tha të hënën se nuk është përgjegjësi e Shteteve të Bashkuara të luftojnë në luftën civile të Afganistanit, pavarësisht pamjeve shqetësuese ndërsa talebanët marrin nën kontroll kryeqytetin Kabul. Presidenti paralajmëroi hakmarrje të shpejtë në rast se talebanët sulmojnë personelin amerikan dhe aleatët afganë që nuk janë larguar ende, ndërsa merr fund kjo luftë 20-vjeçare e Shteteve të Bashkuara.

Lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara po merr fund nën frikë dhe kaos, ndërsa talebanët marrin nën kontroll kryeqytetin afgan, gjë që u pasua nga evakuimi i personelit nga Ambasada Amerikane dhe përpjekje të rrezikshme të afganëve të dëshpëruar për t’u larguar nga vendi.

Përkundër pamjeve, Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se qëndron pas vendimit të tij për tërheqjen e trupave amerikane.

“E vërteta është se gjithçka ndodhi më shpejt sesa kemi pritur. Por, çfarë ndodhi? Udhëheqësit politikë të Afganistanit u dorëzuan dhe u larguan nga vendi. Ushtria afgane u mposht, ndonjëherë pa luftuar. Zhvillimet e javës së kaluar vërtetuan më mirë vendimin se tani ishte koha e duhur për të mbyllur përfshirjen ushtarake amerikane në Afganistan. Trupat amerikane nuk mund dhe nuk duhet të luftojnë dhe të vdesin në një luftë ku forcat afgane nuk janë të gatshme të luftojnë për veten e tyre”, tha Presidenti Biden.

Republikanët dhe disa ligjvënës demokratë e kritikuan Presidentit se dështoi të parashikonte situatën.

“Kjo do të jetë njollë e përhershme e udhëheqjes së Presidentit Biden. Nuk nënkupton që do të jetë presidencë e dështuar. Nuk nënkupton që në fund, shumica e njerëzve nuk do ta pranojnë faktin se tërheqja ishte e pashmangshme dhe vendimi i duhur”, tha Aaron David Miller nga Fondacioni për Paqe “Caregie”.

Ndërsa talebanët marrin pushtetin në Afganistan, analistët thonë se ShBA ka ende ndikim ekonomik në një vend që është i varur nga ndihma ndërkombëtare si dhe operacionet tradicionale kundër terrorizmit.

“Ne mund të sigurohemi që talebanët e kuptojnë se nëse ata afrohen me al-Kaidën ose ISIS-in, ose nëse veprojnë me urrejtje ndaj grave dhe vajzave dhe hakmerren me dhunë kundër afganëve tjerë, ne kemi mundësi ushtarake t’i bëjmë të paguajnë“, tha Michael O’Hanlon nga Instituti Brookings.

Por Departamenti i Shtetit konfirmoi të hënën se ShBA nuk kishte më prani në Ambasadën amerikane në Kabul. Pentagoni tha se 2 mijë e 500 trupat amerikane mbështetën përpjekjet për evakuimin e personelit, përfshirë mijëra aleatë afganë që ndihmuan Shtetet e Bashkuara por që ende presin vizën amerikane për të shpëtuar nga rreziku i torturës dhe vdekjes në duart e talebanëve.

“Ushtria amerikane mbetet e përqëndruar në misionin aktual për lehtësimin e evakuimit të sigurt të qytetarëve amerikanë, vizat speciale të imigrimit për afganët e rrezikuar, nxjerrjen e personelit nga Afganistani sa më shpejt dhe në mënyrrë të sigurtë“, tha Gjeneral Major Hank Taylor.

Një përfundim i pasigurt i një lufte që ShBA-së i kushtoi triliona dollarë por që shpesh nuk kishte vizion të qartë për fitoren.

“Nuk do të përsëris gabimet që kemi bërë në të kaluarën, gabimin e qëndrimit dhe luftimit pafundsisht kur konflikti nuk është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Gabimin e përfshirjes në një luftë civile në një vend të huaj dhe përpjekjes për të rimarrë një vend përmes dislokimeve të pafundme të ushtrisë amerikane”, tha Presidenti Biden.

Që nga viti 2001, katër presidentë amerikanë – dy demokratë dhe dy republikanë – hasën në vështirësi për t’i dhënë fund ndikimit të talebanëve në Afgaistan. Presidenti Biden tha se nuk do ta dorëzonte konfliktin më të gjatë të Shteteve të Bashkuara tek një udhëheqës i pestë.