Ballina Aktualitet Kosova lejon vaksinimin e personave nën 18 vjeç

Kosova lejon vaksinimin e personave nën 18 vjeç

 

Kosova ka ndryshuar Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 duke lejuar edhe personat nën 18 vjeç të imunizohen kundër sëmundjes.

Sipas vendimit të ri, u lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

Sipas njoftimit, vendimi është bazuar në faktin se vaksina Pfizer-BioN/Tech është miratuar nga rregullatorët e BE-së dhe SHBA-së për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç.

Deri më tani në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë pasur vetëm personat mbi 18 vjeç.

Që prej fundit të marsit 2021, kur Kosova nisi fushatën e vaksinimit, mbi 200 mijë persona janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës, ndërkaq numri i përgjithshëm i dozave të administruara është mbi 550 mijë.

Numri i rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme që nga fundi i muajit korrik.

Të hënën (16 gusht) në Kosovë janë regjistruar dy raste të vdekjes nga koronavirusi i ri.

Viktimat janë nga Peja dhe Klina.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë regjistruar edhe 740 persona të infektuar me koronavirusin e ri. Shifra është publikuar pas testimit të 5.646 mostrave.