UEFA po i jep dorën e fundit planit deri në 6 miliardë euro për të ndihmuar futbollin europian të rimëkëmbet nga pasojat e emergjencës së koronavirusit, shkruan Bloomberg.
Financimi është pjesë e një strategjie, e propozuar nga organi qeverisës i futbollit europian, që do të detajohet në javët e ardhshme për të ndihmuar klubet pas më shumë se një viti nga mbyllja e stadiumeve dhe si pasojë, nga rënia e pashmangshme e të ardhurave nga të drejtat televizive.
Plani i UEFA-s parashikon një financim mes 2 deri në 6 miliardë euro, një fond emergjence për t’u mbrojtur nga krizat e ardhshme dhe rregulla të reja mbi Fair Play Financial, i cili – sipas zërave të këtyre ditëve – duhet të përfshijë një kufi pagash (salary cap) dhe një luxury cap.
Falë kësaj pakete shpëtimi, klubet do të kenë akses në fonde me norma më të ulëta interesi dhe do të jenë në gjendje të ristrukturojnë borxhin ekzistues në periudha më të gjata nga pesë deri në shtatë vjet. UEFA është në bisedime me shoqërinë e investimeve me seli në Londër, Centricus Asset Management, për financimin e projektit.
Masat vijnë në një moment të pasigurt për futbollin profesionist, ku kampionatet u ndërprenë për shkak të pandemisë, duke përfshirë dhe Champions League. Tregu i futbollit europian u tkurr, për herë të parë që nga kriza financiare, në sezonin 2019/2020, me të ardhura totale në rënie me 13%, në 25.2 miliardë euro.