Ballina Rajoni 20 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

20 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

 

Shënimi i 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit u përmbyll sot me konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Ministria për Sistem politik, ku ishin të pranishëm fytyrat kryesore që e bën të mundur nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

Presidenti Stevo Pendarovski, i cili ishte në ekipin e Presidentit të atëhershëm, Boris Trajkovski, foli për mosbesimin që populli maqedonas ka pasur për këtë dokument atë kohë dhe për ndryshimin e mendimit 20 vite më vonë. Ai pati duke lartësuar Marrëveshjen e Ohrit, tha se falë kësaj marrëveshje, shteti e fitoi statusin kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005. Por i gjeti edhe një dobësi.

“Nëse në këtë marrëveshje kërkojmë lëshime, atëherë sipas meje gabimi më i madh është se nën presion të dinamikës së pavolitshme të ngjarjeve në terren, pjesëmarrësit në këtë marrëveshje aspak nuk patën kohë që të përkushtohen tek të drejtat dhe statusin e grupeve etnike më të vogla. Dhe për këtë marrëveshja është kualifikuar si binacionale dhe kjo nuk është përparësi në një shoqëri multikulturore”.

E ish-Sekretari i përgjithshëm i NATO-së atë kohë, George Robertson, shprehu mburrjen e tij që ka qenë pjesë e ekipit që arriti ta ndal një luftë dhe të nënshkruajë një dokument i cili solli paqe.

Shtoi se për tu arritur kjo marrëveshje është dashur shumë punë, por siç tha ai, kjo marrëveshje kërkon vëmendje të vazhdueshme edhe nga gjeneratat e reja. Ata nuk duhen ta kenë brengë kryesore se si u arrit kjo marrëveshje, por duhet të koncentrohen se si ta realizojnë, tha Robertson.

“Komunitetit ndërkombëtar, liderët e tyre, njerëzit e tyre të guximshëm dhe profesional me disa nga politikanët më të guximshëm të Maqedonisë dhe një popullatë të mençur, me vendosmëri e bënë gjënë e duhur në kohën e duhur. Dhe një ditë, këta fëmijë që do të rritën në një shtet të qetë dhe evropian, do ta dinë se çfarë është bërë dhe kush e ka bërë dhe do të thonë faleminderit”.

Kjo marrëveshje ishte një fillim i ri për shtetin, thotë Kryeministri Zoran Zaev.

“Nga kjo distancë mund të themi lirisht se është garantues i paqes. Marrëveshje të cilën më vonë e mbindërtuam duke krijuar një bashkësi ku qytetarët kanë bashkëjetesë, tolerancë të ndërsjellët dhe paqe. Bashkësi ku qytetarët kanë vizione të ngjashme apo të njëjta për të nesërme më të mirë”.

E kreu i BDI-së, që atë kohë ishte udhëheqës politik i UÇK-së, rikujtoi se në çfarë kanë kaluar shqiptarët dhe cilat kanë qenë arsyet se përse erdhi deri tek lufta.

“Shqiptarët nuk kërkonin armë, por arsim. Nuk kërkonin tankse, kërkonin libra për të mësuar. Shqiptarët kërkonin simbole që më herët edhe i kishin pasur dhe jo barut. Fillimisht u ankova se kemi qenë të persekutuar, të margjinalizuar, të burgosur… Këtu e kam Harin. Në një moment e ngriti dhe i tregoj gjurmët që më kanë lënë udbashët e atëhershëm dhe ky më shikon dhe më thotë: Por, mos të kishin rrahur ti nuk do të ishte në tavolinë me mua të bisedosh, këtu do të bëjmë këtë hapë, këtu duhet bërë kështu… Edhe Hari ka të drejtë, se nëse nuk i kërkon të drejtat dhe nëse nuk lufton për lirinë atë nuk e gjen kurrë”.

Ahmeti falënderoi edhe një herë komunitetin ndërkombëtar që nuk lejoi ndarjen e shtetit, sepse sipas tij, kjo do të ishte një tragjedi e madhe për qytetarët dhe për rajonin.