Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se kriza me ndryshimet klimatike është arsyeja mbrapa zjarreve shkatërruese në shtetin që udhëheq.
“E theksoj se nuk janë ndryshimet klimatike, është kriza klimatike. Dhe ne si shtet jemi pjesë e saj”, ka thënë ai në një konferencë për media në Athinë.
Zjarret pyjore janë nxitur nga një valë 10-ditore e të nxehtit, e cila ka lënë krejtësisht të thatë këtë vend, ka thënë ai, duke bërë thirrje që çështja e ambientit të kthehet në prioritet kombëtar.
Mitsotakis ka theksuar se zjarret nuk janë problem grek, por i Mesdheut dhe gjithë botës.
“Shikoni se çfarë është duke ndodhur në Itali dhe shtetet tjera”, ka thënë ai.
Kryeministri grek ka bërë të ditur se në samitin e radhës të vendeve të Mesdheut do të përmendë mundësinë e bashkëpunimit për luftim të zjarreve.
Ai ka falënderuar edhe 24 shtetet që kanë ndihmuar në shuarjen e tyre.
Mitsotakis ka thënë se edhe zjarrvënia ka qenë mbrapa situatës me zjarre.
Megjithatë, ende nuk ka të dhëna konkrete, ka thënë ai, duke shtuar se u beson hetimeve që janë duke vazhduar.
Rreth 20 persona janë arrestuar nën dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme në Greqi në 10 ditët e fundit, mirëpo lidhja në mes të individëve nuk është identifikuar.
Zyrtarët kanë thënë të enjten se shirat e një nate më parë kanë ndihmuar dukshëm kundër zjarreve.
Vetëm në dy javët e fundit, zjarret pyjore në Greqi kanë bërë hi më shumë se 100,000 hektarë tokë.