Ballina Ravijëzime Raporti i OKB-së për klimën, “kod i kuq për njerëzimin”

Raporti i OKB-së për klimën, “kod i kuq për njerëzimin”

 

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, njerëzit pa dyshim janë fajtorë për ndryshimet globale të klimës – ndërsa kërkohen urgjentisht shkurtime masive të gazrave që shkaktojnë efektin serrë nëse bota dëshiron të shmangë një ngrohje katastrofike. Gjetjet e raportit janë miratuar nga 195 qeveri në botë.

Në ishullin grek të Evias, banorët u larguan nga shtëpitë e tyre nën një qiell të ndezur, ndërsa zjarret i shndërruan pyjet në eshkë nga temperaturat e nxehta të verës.

Ky është vetëm një nga qindra zjarre të mëdhenj që po digjen në Greqi, Turqi dhe Itali – pasi temperaturat e verës arritën 45 gradë Celsius. Mesazhi nga shkencëtarët: ndryshimi i klimës ka mbërritur.

“Mesdheu do t’i ketë këto zjarre pyjore gjatë gjithë kohës. Pra, dua të them, ky është vetëm fillimi. Do të bëhet shumë më keq”,thotë Levent Kurnaz, shkencëtar për klimën në Universitetin Bogazici.

Nxehtësia e madhe dhe thatësira kanë shkaktuar zjarre nga Mesdheu, në Siberi, e deri në Kaliforni.

Raporti, i hartuar nga 200 shkencëtarë të Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, thotë se temperaturat tashmë janë rritur me 1.1 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i komisionit i përshkroi gjetjet si një “kod të kuq për njerëzimin”.

“Secila prej katër dekadave të fundit ka qenë më e nxehta e regjistruar që nga kohët para-industriale. Për më tepër, është e padiskutueshme që aktivitetet njerëzore po shkaktojnë ndryshime klimatike. Ndikimi njerëzor po krijon ngjarje ekstreme klimatike, përfshirë valët e nxehtësisë, reshjet e mëdha të shiut dhe thatësirën, duke i bërë më të shpeshta dhe më katastrofike”, thotë Ko Barrett.

Sipas raportit temperaturat mesatare globale do të arrijnë 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale deri në vitin 2030, kufiri i rënë dakord në samitin e klimës në Paris në vitin 2015 dhe që shihet si një pikë kthese nga shumë shkencëtarë. Ky kufi është dhjetë vjet më herët se parashikimet e mëparshme.

Në raport thuhet se nuk mund të përjashtohet rritja e nivelit të detit deri në dy metra deri në fund të shekullit – duke kërcënuar miliona njerëz që jetojnë në zonat bregdetare.

Dhe Arktiku ka të ngjarë të përjetojë të paktën një verë pa akull deri në vitin 2050.

Por shkencëtarët theksojnë se ka një rrugëdalje. Skenarët më të këqij mund të parandalohen – dhe ngrohja globale mund të sprapset – me shkurtime drastike të emetimeve globale.

“Këto nuk janë vetëm ndryshime të vogla që mund të bëjmë; por që nënkuptojnë ndryshime të mëdha në mënyrën e përdorimit dhe konsumimit të energjisë. Dioksidi i karbonit është elementi kryesor që na duhet të pakësojmë për të arritur në emetimin zero deri në mesin e shekullit. Por gjithashtu dimë se metani është një gaz i rëndësishëm që duhet zvogëluar, pasi ka shkaktuar ndoshta deri në gjysmë grade (Celsius) të ngrohjes që kemi parë deri tani”, thotë Bill Collins, bashkë-autor i raportit.

Me rihyrjen e Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e Parisit për klimën, shkencëtarët shpresojnë se do të ketë një përpjekje të shtuar ndërsa udhëheqësit botërorë mblidhen në nëntor për samitin global të klimës COP26 në Britani.

I dërguari i presidentit Biden për klimën John Kerry tha të hënën se “të gjitha ekonomitë kryesore duhet të angazhohen për veprime agresive ndaj klimës gjatë kësaj dekade kritike”.

“Ky raport akualisht është pranuar nga 195 qeveri të botës,. Pra, ne po sigurojmë që ata të marrin vendime politike të duhura”, thotë Bil Collins.

Këto vendime do të përcaktojnë nëse njerëzimi mund të shmangë ndryshimet katastrofike të klimës.

Ndikimi i ndryshimit të klimës tanimë po ndihet në shumë vende të botës.